Çollaku: Nuk Ka Datë të Caktuar për Rekomandimin për Vizat

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka vendosur të përmbahet nga dhënia e ndonjë afati kohor se kur Bashkimi Evropian do të japë rekomandimet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Integrimet Evropiane, ku ka raportuar lidhur me plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave, ministri Çollaku ka theksuar se nuk ka datë të caktuar se kur do të jepen rekomandimet, por ka vlerësuar se do të ishte “fantastike” nëse kjo do të ndodhë në muajin mars të këtij viti.

“Jemi në pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Rekomandimi pritet të jepet në të njëjtën kohë me këto dy vende. Rekomandim nuk presim të ketë para vizitës së komisionarit Dimitris Avramopoulos, e cila do të realizohet në shkurt. Duhet të jemi të përmbajtur nga afatet kohore, po presim vlerësim. Do të ishte fantastike nëse do të ndodhte në mars, pasi që vizita e komisionarit do të jetë në gjysmën e dytë të muajit shkurt” tha ai.

Çollaku ka shtuar se nga 95 kritere që i përmban Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën, 87 kanë qenë të plotësuara në tërësi, ndërsa 8 rekomandime apo kritere janë konsideruar si të plotësuara pjesërisht.

Sipas tij, në këto 8 kritere janë dhënë udhëzime shtesë se si të veprohet në mënyrë që ato të adresohen në tërësi.

“Nuk kam qenë i kënaqur me raportin e publikuar nga Komisioni Evropian sepse kemi konsideruar se disa nga  punët e mëdha që janë bërë në fund të muajit të kaluar nuk kanë qenë të pasqyruara në mënyrë të saktë në atë raport. Nga korriku i vitit të kaluar nuk kemi pasur komision vlerësues”, u shpreh Çollaku.

Edhe anëtarët e Komisionit i kanë drejtuar pyetje ministrit.

Ilir Deda, nga Lëvizja Vetëvendosje, e pyeti ministrin se nëse Isa Mustafa ka vendosur të shkojë në Bruksel më 27, a do të thotë kjo që puna e liberalizimit është kryer.

“Nëse kryeministri Mustafa ka vendosur të shkojë më 27 në Bruksel, a do të thotë kjo që është kryer puna e liberalizimit të vizave? Dhe ju jeni anëtar i Qeverisë dhe nëse ka deklarata të tilla ato janë diskredituese për vetë Qeverinë”, ka pyetur Deda.

Çollaku tha se nuk i takon të komentojë apo sqarojë deklaratat e kryeministrit, mirëpo ato i cilëson pozitive dhe si solidaritet i kryeministrit me brengat e qytetarëve.

“Unë jam anëtar i kabinetit, por nuk më takon mua të sqaroj ose komentoj deklaratat e kryeministrit. Ajo çfarë personalisht mendoj që kryeministri ka dashur të thotë nëpërmjet kësaj deklarate ka qenë që t’i dërgohet mesazh i qartë Bashkimit Evropian që mos ta zvarritë këtë proces në pafundësi dhe tregon një dozë më të madhe të solidaritetit me brengat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Çollaku, duke shtuar se është i sigurt që takimi i radhës me Serbinë do të mbahet gjatë kësaj jave siç ka qenë e planifikuar.

Në Komision u diskutua edhe çështja e ndërtesës së Avokatit të Popullit.

Sipas ministrit Çollaku kjo çështje ende nuk është adresuar dhe nuk është plotësuar si kriter.

“Ende nuk kemi një ndërtesë fikse dhe të nevojave çfarë i duhen Avokatit të Popullit. Ka kritere specifike. Avokati i  popullit dhe i gjithë stafi i tij punojnë në ndërtesë me qira që nuk i plotëson  nevojat e tyre nga aspekti i zyrave, i mjedisit të punës”, theksoi ai.

Ministri shpjegoi se Qeveria nuk ka në dispozicion objekte që i menaxhon, ku do të mund të sistemohej menjëherë Avokati i Popullit. Opsioni më i mirë, sipas tij, është lëvizja e Gjykatës Kushtetuese në destinacionin e vet të përcaktuar – në Pallatin e Drejtësisë.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar duke thënë se do të ishte gabim që Gjykata Kushtetuese të vendoset në të njëjtën ndërtesë me gjykatat e tjera të rregullta të Republikës së Kosovës.

“Aq sa i duhet një pavarësi e tillë Ombudspersonit ndoshta dhe më shumë i duhet Gjykatës Kushtetuese. Kushdo që thotë se Gjykata Kushtetuese është pjesë e gjyqësorit duhet ta lexojë Kushtetutën. Nuk është pjesë e gjykatave të rregullta. Është institucion tërësisht i ndarë, që e interpreton Kushtetutën dhe unë e shoh po aq gabim që ajo të jetë në të njëjtën ndërtesë me gjykatat e tjera të rregullta të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.