Blerim Devolli i jep kohë Telekomit deri më 15 qershor
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se në takimin e Komitetit Ndërministror për Ndërmarrje Publike është rënë dakord që t’i jepet kohë Bordit të Telekomit deri më datën 15 qershor që të përgatisë një plan për pagesën e borxhit ndaj kompanisë “Dardafon”, përkatësisht “Z-Mobile”.
“Pas një diskutimi nga të gjithë të pranishmit, palët u pajtuan që deri më 15 qershor të bëjnë një plan të pagesave ndaj këtij borgji. Në këtë formë, grupet negociuese nuk do të vendosin temën e pagesës në diskutime”, ka shkruar ministri Lluka në Facebook.
Sot, Komiteti Ndërministror për ndërmarrje publike, që drejtohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka ftuar në takim pune bordin dhe ekzekutivin e Telekomit të Kosovës se bashku me përfaqësuesit e kompanisë Dardafon.net (Z mobile).
Ministri Lluka ka thënë se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të largohet presioni për inkasimin e mjeteve të vendosura nga Arbitrazhi ndërkombëtar me vlerë prej 25.9 milionë euro përmes përmbaruesve.
“Kërkesa jonë si komitet ishte që të krijohet një mundësi e re për të dy palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre, pra mos të bëhet presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë”, ka thënë Lluka.
Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, dhe Besa Shatri, kryetare e Bordit, janë zotuar që të dalin me një plan konkret të shlyerjes së detyrimeve ndaj Z Mobile, sipas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar. Me këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z Mobile, të cilët, në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit për të përpunuar planin, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri më datën 15 qershor 2019.
Më tej minsitri Lluka ka thënë se Telekomi i Kosovës, i mbështetur nga ky komitet dhe tërë Qeveria e Kosovës, së shpejti do të ketë qasje në kredi për të implementuar kodin 383, për të siguruar mirëmbajtjen e telekomit dhe një herit, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për të bërë investimet e detyrueshme që të sigurohet mbarëvajtja e punes.
“Në asnjë formë, Qeveria nuk do të lejojë që Telekomi të dështoj pasi që luan rol shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe sigurinë kombëtare”, ka thënë ministri Lluka.
18:36
Komisioni Ndërministror, Bordi i Telekomit dhe pronari i kompanisë “Dardafon” (Z-Mobile), Blerim Devolli, janë pajtuar që mos të dërgohet tek përmbaruesi borxhi prej 25 milionë eurove.
Burimet e KALLXO.com kanë treguar detajet e marrëveshjes së arritur në takimin mes Bordit të Telekomit dhe Blerim Devollit. Bordit të Telekomit i është dhënë kohë deri me datën 15 qershor që të përgatisë një plan për pagesën e borxhit ndaj kompanisë “Dardafon”, përkatësisht “Z-Mobile”.
Pajtueshmëria për mos-ekzekutim të borxhit është arritur për t’i dhënë hapësirë bordit të Telekomit dhe “Dardafon” të diskutojnë çështjen e fatit të “Z-Mobile”. Marrëveshja aktuale e Telekomit me “Dardafon” për “Z-Mobile” si MVNO skadon në mes të këtij vitit.
Avokati i “Z Mobile”, Virtyt Ibrahimaga e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Komitetit Ndërministror për Ndërmarrje Publike. Ai për Kallxo.com ka thënë se për rezultatet e takimit do të ketë kumtesë për media.
Telekomi i Kosovës rishtazi ka pranuar një paralajmërim nga kompania Z Mobile për pagesën e borxhit të mbi 25 milionë eurosh, nën kërcënimin se do ta përmbarojnë.
Edhe dje është zhvilluar një takim i Komitetit Ndërministror për Ndërmarrjet Publike, i thirrur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për të diskutuar në lidhje me situatën e “Telekomit të Kosovës”.
Në këtë takim kanë qenë të ftuar Bordi i Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”, për të raportuar së bashku me kryeshefin e ndërmarrjes, Bedri Istrefin. Gjithashtu në këtë takim kanë qenë edhe Sindikata e punëtorëve të Telekomit të Kosovës.
Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë “Dardafon.net L.L.C”, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- ‘Z-Mobile’.Vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga një borxh prej 25 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar arbitrazhin.
Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe ‘Z-Mobile’, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 25 milionësh. Në kohën kur negociatat po vazhdojnë, “Dardafon.net L.L.C” i është drejtuar Telekomit me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh.
Nga ana tjetër, Komisioni Hetimor për krizën në Telekomin e Kosovës, ka miratuar listën e personave të cilët pritet t`i intervistojë lidhur me kontratën me kompaninë ‘Z-Mobile’. Deputetët në Komisionin Hetimor Parlamentar votoi listën e dëshmitarëve për të cilën u tha se mund të azhurnohet gjatë procesit.
Arbitrazhi
Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.
Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.
Përgjigjja e “Z-Mobile”
Sipas “Z-Mobile”, gjatë gjithë kohës kanë zhvilluar takime me Telekomin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje miqësore me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit por gjithmonë ka pasur mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.
“Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet në deklaratën e “Z-Mobile”.
“Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, theksohet në deklaratën e “Z-Mobile”.
Reagimet për gjendjen e Telekomit të Kosovës
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri ka thënë se gjendja e Telekomit të Kosovës nuk ka qenë kurrë më e rëndë se tani. Sipas Ymeri, kjo gjendje e ka një histori pasi qeverisjet e Kosovës kanë pasur të njëjtën qasje ndaj kësaj ndërmarrje publike.
“Kontratat me palët e treta, sikur ajo për krijimin e operatorit virtual Z Mobile, si dhe me kompanitë tjera që kryejnë shërbime për Telekomin, qartazi kanë shërbyer si mekanizëm për kanalizimin e të mirave publike në xhepa privat. Ky, për mua është definicioni i korrupsionit – vendimet e zyrtarëve publik të cilat i shërbejnë (vetëm) interesave partikulare”, ka shkruar Ymeri.
Në kohën kur Telekomit të Kosovës i ka mbetur edhe pak kohë për të paguar borxhin prej 25 milionë euro ndaj “Z-Mobile”, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, njoftoi për dy nisma emergjente “për ta ndalur krimin që ka gjunjëzuar gjyqësorin, prokurorinë dhe qeverinë”.
E para ka të bëjë me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, dhe e dyta ka të bëjë me një nismë ligjore, së cilës nëse ia ngushtojmë kuptimin siç tha Konjufca në konferencë për media, i bie që t’i ndalohet veprimtaria kompanisë Z-Mobile.
Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka reaguar pas paralajmërimit të Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës së do se do ta dërgojnë borxhin prej më shumë se 25 milionë euro në përmbarim. Punëtorët e PTK-së kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq duke shtuar se duhet ditur të mbrohet Telekomi dhe nuk i frikësohen “shantazheve nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”.
“Lidhur me kërcënimin e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, ju bëjmë me dije edhe pronarëve të Z-Mobile por edhe qeverisë se ata do të jenë përgjegjës për kaosin social që mund të shkaktojë ekzekutimi i këtij vendimi. Ne tashmë nuk do të rrijmë durakryq përballë të drejtës sonë për ta mbrojtur kompaninë. Opinioni publik tashmë e di mirë se kush janë shkaktarët e vërtetë të dëmtimit të Telekomit”, thuhet në reagimin e tyre në “Facebook”.