Kurti në Çabër: 15 stacione të internetit u vendosen në veri

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se 15 stacione të reja të internetit janë instaluar në veriun e Kosovës nga Telekomi.

Këtë njoftim, ai e ka bërë më 12.03.2024 gjatë vizitës në fshatin Çabër të Zubin Potokut, aty ku edhe është bërë zëvëndësimi në stacionin bazë të transmetimit.

Nga ky vend, Kurti ka deklaruar se shpejtësia e internetit në këtë zonë tani është 140 Mbps.

“140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut. U bë zëvendësimi në stacionin bazë të transmetimit, me kalimin në teknologjinë Ericsson nga ajo Alcatel. Për një montim të këtillë dikur paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e Telekomit nuk punonin. Tash, punëtorët e Telekomit instaluan edhe 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë. Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga mbulimi dhe cilësia e shërbimit publik dhe jo thjesht nga përfitimi financiar vetjak”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri tha se vitet 2024 dhe 2025 janë vite të Kosovës 5G.

Në këtë vizitë në Çabër të Zubin-Potokut bashkë më Kurtin ishte edhe kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetarët e Bordit dhe Sindikatës, Shpëtim Dobra dhe Lamih Balaj, drejtorin teknik, Halil Krasniqin, dhe inxhinierë e punëtorë të tjerë ishim sot në Çabër.

Kurti në facebook tha se kryetari i sindikatës së punëtorëve të Telekomit kishte një thirrje të veçantë.

“Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit pati një thirrje publike të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës: të jenë në shërbim të Republikës e të publikut dhe jo të oligarkëve që duan ta vazhdojnë rrjepjen dhe gjymtimin e Telekomit të Kosovës”- tha Kurti.

Modernizimi i rrjetit mobil, Telekomi i Kosovës nënshkruan kontratë 15-milionëshe me “Ericsson Nikola Tesla”