Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Telekomi i Kosovës thotë se ka skemë për 'plaçkitjen' e 5.7 milionë eurove nga 'Dardafone'

Telekomi i Kosovës e ka cilësuar antiligjor dhe të dëmshëm aktvendimin e Gjykatës Komerciale për kontestin nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-s me kompaninë “Dardafon/Zmobile”. Sipas kryeshefes ekzekutive të Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, përmes këtij vendimi, hapen rrugë për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit “dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë euro të tjera”.

Hana, përmes një konference për media më 19.02.2024, tha se duhen të ndërmerren veprime urgjente për të parandaluar “krimin financiar”, theksa shtoi duke pretenduar se ky vendim ka elemente të qarta kriminale.

“Vendimi është antiligjor dhe në kundërshtim me provat. Dhoma e shkallës së dyte tri herë i ka kthy në rigjykim vendimet e shkallës së parë, vendimi 30 nëntor 2023 kërkon nga dhoma e shkallës së parë që për rigjykim të angazhoj ndonjë kompani të licencuar të auditimit që të caktoj obligimet e palëve”- deklaroi Hana.

Ajo deklaroi se kërkohet që Gjykata e shkallës së parë të veproj në bazë të nenit 199 të ligjit mbi procedurën kontestimore, që Gjykata të caktoj seancën përgatitore apo seancën për shqyrtim kryesor që duhet tëmbahet më së voni 30 ditë pas arritjes së vendimit të Gjykatës së shkallës së dytë që të shqyrtoj të gjitha çështjet kontestuese.

“Gjatë kohës që Telekomi po priste ftesën për seancën e parë dhe institucionin për ekspertizë financiare, më 16 shkurt 2024 morëm vendimin nga shkalla e parë pa u thirr palët për të paraqit provat e tyre. Përmes këtij aktvendimi lihet në fuqi aktvendimi përmbarimor i vitit 2019 që hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe lejon grabitjen e shumës prej 5.7 milionë euro” – ka deklaruar Hana.

Ajo tha se Telekomi ka paguar shumën prej mbi 40 milionë euro për shkak të arbitrazhit, teksa vendimi ishte për rreth 27 milionë. Në mënyrë të dhunshme sipas saj, mbi 13 milionë më tepër u detyrua Telekomi të paguaj.

“Sipas aktvendimit në fjalë, plaçkitja e shumës prej 5.7 milionë € rezulton të jetë një pagesë e tepërt, mbi 19 milionë € më e lartë se shuma e obliguar sipas Vendimit të Arbitrazhit”- tha Hana.

Pagesat e tepërta sipas saj kanë ardh pas vendimeve të gabuara të Gjykatës. Vendimi është i jashtëligjshëm sipas saj dhe ka elemente kriminale.

“Ndonëse ndaj këtij aktvendimi mund të bëhet ankesë në Shkallën e Dytë të Gjykatës, kjo nuk mund ta ndalë ekzekutimin e tij. Kësisoj shkaktohet një dëm i pariparueshëm. Ekzekutimi i këtij aktvendimi nënkupton që paratë nga llogaritë bankare të Telekomit të kalojnë në llogaritë bankare të Dardafon”- shtoi Hana.

Kryeshefja e Telekomit thotë se “Dardafon” është e regjistruar si SHPK dhe se nuk operon që nga viti 2019, sipas saj kjo kompani nuk ka asnjë pronë të luajtshme e as të paluajtshme prandaj dhe paratë e Telekomit, që do të derdhen në llogaritë bankare të Dardafon, mund të transferohen menjëherë jashtë vendit.

“Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga aribtrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë € më tepër. Për këtë mbipagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit. Prandaj themi se vetëm ekspertiza financiare e vendos drejtësinë në këtë çështje”- thotë Hana.

Ajo thotë se presin nga shkalla e dytë e Gjykatës që të detyroj “Dardafon” t’i kthej paratë e marra jashtëligjshëm nga Telekomi por që sipas saj kjo do jetë e vonë për shkak se llogaritë e “Dardafon” mund të jenë të zbrazura.

“Nga kjo duket sikur bëhet fjalë për një skemë të organizuar, ku do të duket sikur askush nuk mund të jetë fajtor ligjërisht, por realisht do të këtë vetëm një palë të dëmtuar – Telekomi i Kosovës ose paraja publike”- deklaroi Hana.

Hana tha se kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime që kjo “skemë” të parandalohet, kanë ngrit kallëzim penal ndaj gjykatësit në Prokurorinë Speciale e kanë kërkuar përjashtimin e përmbaruesit për shkak të shkeljeve.

Ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë si dhe kërkesë për pezullimin e përmbarimit thotë Hana se do bëjnë sa më shpejtë.

“Telekomi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta parandaluar këtë skemë kriminale që për qëllim ka grabitjen e mbi 5.7 milionë € nga paratë publike që u takojnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës e jo grupeve kriminale”- tha Hana në konferencë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur më këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.