'Z-Mobile': Telekomi nuk respektoi marrëveshjen, ishim të detyruar të thirremi në vendimin e Arbitrazhit

Pas disa ditë diskutimesh në lidhje me situatën në Telekomin e Kosovës, borxhin prej 25 milionë euro të Telekomit ndaj “Z-Mobile”, vazhdimin apo ndërprerjen e kontratës 10 vjeçare, operatori “Z-Mobile” ka dhënë një përgjigje.

Sipas “Z-Mobile”, gjatë gjithë kohës kanë zhvilluar takime me Telekomin e Kosovës për të gjetur një zgjidhje miqësore me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit por gjithmonë ka pasur mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.

“Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet në deklaratën e “Z-Mobile”.

“Z-Mobile” ka potencuar se atyre nuk i është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në të ardhmen Telekomi i Kosovës do t’i respektojë detyrimet e veta.

“Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, theksohet në deklaratën e “Z-Mobile”.

Telekomi i Kosovës ka hyrë në negociata me kompaninë “Dardafon.net L.L.C”, pronë e Blerim Devollit, për vazhdimin e kontratës për operator virtual- ‘Z-Mobile’.

Vazhdimi i kontratës po kushtëzohet nga një borxh prej 25 milionë euro që Telekomi ia ka kompanisë së Blerim Devollit, pasi kjo e fundit kishte fituar arbitrazhin.

Muaji korrik i këtij viti do të shënojë fundin e kontratës 10 vjeçare mes Telekomit dhe ‘Z-Mobile’, por vazhdimi i kësaj kontrate po negociohet në të njëjtën kohë me borxhin 25 milionësh.

Në kohën kur negociatat po vazhdojnë, “Dardafon.net L.L.C” i është drejtuar Telekomit me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it,si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Kumtesa e plotë për media e “Z Mobile”:

Si partnerë kërkojmë bashkëpunim, jo lëndim të ndonjërës palë

Dëshirojmë të theksojmë sërish se ne gjatë gjithë kohës kemi shpresuar se mosrespektimin e kontratës me Telekomin e Kosovës do ta zgjidhnim bashkë me mirëkuptim të drejtpërdrejt dhe asnjëherë nuk e kemi dëshiruar që për këtë kontest t’ë detyrohemi të kërkojmë drejtësi pranë Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), ose duke u thirrur në vendimin e këtij arbitrazhi, i cili, pas procedurës që ka zgjatur prej 2 vitesh, kishte konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuese nga ana e Telekomit të Kosovës. 

Siç është informuar rregullisht edhe opinioni publik, ne kishim shteruar të gjitha përpjekjet që të arrijmë me mirëkuptim dhe shpirt bashkëpunimi profesional respektimin e kontratës me partnerin tonë, Telekomin e Kosovës, Duke parë se bisedimet e atëhershme nuk sjellnin asnjë zgjidhje, kurse humbjet e kompanisë rriteshin me secilën ditë që ka kaluar, ne ishim detyruar me keqardhje dhe pa vullnetin tonë t’i drejtohemi drejtësisë. 

Rasti ishte shqyrtuar nga Tribunali i përberë nga gjyqtarë liderë në Bashkimin Evropian dhe ka zgjatur për dy vite, në të cilin janë dëgjuar ekspertë të mirënjohur të fushës së teknologjisë së telekomunikacionit, financiarë dhe ligjorë. 

Ne para kolegjit të arbitrazhit kemi ofruar faktet e njëjta të cilat në fakt gjatë gjithë kohës ia kemi prezantuar edhe përfaqësuesve të Telekomit të Kosovës. Të kujtojmë se vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC-ja, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës: 

– Mosfurnizimi me SIM Kartela 

– Mosfurnizimi me numra 

– Mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe 

– Ulja e cilësisë së shërbimeve 

Mos ofrimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit. Ne, përgjatë gjithë këtyre viteve të vështira, me humbje tepër të mëdha, kemi bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyllim kompaninë dhe t’i mbajmë të punësuarit në punë. 

Ne shpresonim që vendimi i ICC-së, do ta rikthente normalitetin në marrëdhëniet ndërmjet dy kompanive. 

Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara. 

Mirëpo edhe në periudhën në vazhdim dhe deri më sot kemi hasur në mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes dhe, së fundi, edhe kërcënimet se kontrata nuk do të zbatohet njëanshëm nga Telekomi i Kosovës, të gjitha këto të raportuara edhe nëpër media. 

Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës. 

Vlen të theksohet se Tribunali i Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, i përzgjedhur nga palët kontrakuale, gëzon reputacionin si një ndër institucionet më të besueshme të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve komerciale në nivel ndërkombëtar. 

Në fund, përshëndesim klientët tanë, të cilët edhe përkundër pamundësisë për të operuar normalisht në tregun e telekomunikacionit – na kanë mbetur besnikë.

Borxhi kushtëzon Telekomin për vazhdimin e kontratës me biznesin e Blerim Devollit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj ka prit sot në zyrën e tij drejtorin ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefin.

Siç ka njoftuar në “Facebook”, kryeministri me drejtorin e Telekomit kanë folur për gjendjen financiare të kësaj ndërmarrjeje publike.

“Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, përfshirë këtu edhe kontratën me Z Mobile”, ka shkruar kryeministri në “Facebook”.

https://kallxo.com/haradinaj-takon-drejtorin-e-telekomit-flasin-per-gjendjen-ne-kete-ndermarrje-publike/

.