Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com
Iu bllokuan llogaritë bankare, Telekomi kërkon shkarkimin e përmbaruesit Irfan Kërçagu
Telekomi i Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se menaxhmenti i ndërmarrjes, më 29.02.2024 është njoftuar për bllokim të llogarive në bankë nga përmbaruesi privat Irfan Kërçagu, për shumën 5,814,196.29 euro.
“Përkundër argumenteve të fuqishme të Telekomit të Kosovës, të njohura tashmë për publikun, ende po vazhdon drama me shumë akte, e përvetësimit të jashtëligjshëm të parasë publike, e cila përpos grykësisë dhe papërgjegjësisë, shpërfaqë edhe fuqinë e akterëve të përfshirë në këtë veprimtari, për të sfiduar tashmë krejtësisht hapur sistemin e drejtësisë dhe ligjin” thuhet në komunikatën e lëshuar më 01.03.2024.
Në komunikatë thuhet se pavarësisht udhëzimeve të Dhomës së Shkallës së Dytë pranë Gjykatës Komerciale, e cila ka kërkuar shprehimisht nga Dhoma e Shkallës së Parë që në rigjykim të angazhohet një institucion ose kompani e licencuar e auditimit, për të hartuar ekspertizën financiare që do të definonte obligimet e sakta të palëve, të mbante seancë dëgjimore, të caktonte ekspertizë financiare dhe në rigjykim të eliminonte shkeljet procedurale të konsumuara, prapë se prapë Dhoma e Shkallës së Parë ka marrë një vendim të cilin Telekomi e quan shokues.
“Vendimi shokues dhe sipas bindjes tonë krejtësisht arbitrar i Dhomës së Shkallës së Parë, ka lënë në fuqi Urdhrin përmbarimor duke hapur rrugë që një përmbarues tjetër të vazhdojë zinxhirin e veprimeve të jashtëligjshme për përvetësimin e parasë publike” – thuhet në komunikatën e Telekomit.
Ky vendim, sipas Telekomit është marr me qëllim që pronarëve të Dardafon net L.L.C. përmes bizneseve të tjera t’u mundësohet që në bashkëpunim me partnerë nga vendet jomike që nuk e njohin Republikën e Kosovës, të sfidojnë konkurrencën në treg.
“Marrëveshjet e fundit mes këtyre bizneseve tregojnë qartë përpjekjen për të monopolizuar tregun e telefonisë fikse, internetit dhe përmbajtjes televizive në Kosovë. Kjo për bindjen tonë rrezikon jo vetëm të drejtat e qytetarëve , por edhe sigurinë e vendit” – theksohet në komunikatë.
Telekomi i Kosovës me këtë rast ka njoftuar se ka bërë kërkesë për përjashtimin e përmbaruesit Irfan Kërçagu nga ky proces.
Ndërmarrja gjithashtu ka njoftuar se “e ka alarmuar Prokurorinë e Shtetit” për gjykatësin i cili sipas Telekomit ka injoruar vendimet e Dhomave të Shkallëve më të larta.
Bllokimin e llogarive, Telekomi e ka cilësuar si “krim financiar”, kurse procesin gjyqësor të “kompromentuar”.
Ndërkohë shuma e kërkuar po vazhdon të vlerësohet se është mbipaguar (mbi 13 milionë Euro).
Telekomi i Kosovës ka njoftuar opinionin se ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të llogarive dhe se do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet për të ndalur në kohë, siç është thënë në komunikatë, përpjekjet e jashtëligjshme për grabitjen e parasë publike.
Telekomi vlerëson se vendimi në fjalë rrezikon të rrënojë rezultatet e arritura në këto tri vite, e të cilat po e rrënojnë monopolin në tregun e telekomunikacionit, “i cili në pjesën më të madhe kontrollohej nga bizneset e dyshimta dhe me paratë e interesave nga vende që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”.
“Sepse, Telekomi është i Kosovës e jo i oligarkëve. Sepse Gjykatat janë të Kosovës e jo të gjyqtarëve dhe përmbaruesve me mungesë etike profesionale. Sepse vjedhja sado e mbuluar me letra: kurrë nuk bëhet legjitime” – përfundon komunikata.
Vendimi i fundit i Gjykatës lidhur me këtë çështje ka obliguar ndër të tjera Telekomin që tia paguajë Dardafon.net i njohur si “Z Mobile” 5,732,871.34 euro, më shumë rreth këtij vendimi mund të lexoni këtu.
Ky vendim i fundit i shkallës së parë erdhi pasi Dhoma e shkallës së dytë për herë të tretë e kishte kthyer në rigjykim vendimin paraprak të dhomave të shkallës së parë të cilat kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016. Përmes këtij vendimi të marrë me 17.07.2023, edhe atëherë Telekomi i Kosovës ishte detyruar nga dhomat e shkallës së parë që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.
Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafon”-it.
Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi pretendon se kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.
Sipas pretendimeve të Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.
KALLXO.com ka kontaktuar përmbaruesin Irfan Kërçagu për ta pyetur lidhur me ecurinë e përmbarimit dhe për qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e Telekomit për përjashtimit e tij nga procesi, por i njëjti deri në momentin e publikimit e këtij artikulli nuk është përgjigjur.