Kontesti milionësh Dardafon - Telekomi i Kosovës, shkalla e parë e Komerciales merr vendim
Beteja gjyqësore në mes të “Dardafon” kundër “Telekomit të Kosovës” po vazhdon ndërsa kompania private po i kërkon pagesa të tjera ndërmarrjes publike duke u bazuar në vendimin e Arbitrazhit i cili kishte vendosur në favor “Dardafon”.
Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi veçse kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.
Zyrtarët e Telekomit kanë deklaruar se kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.
Përmes aktvendimit të fundit nxjerrë më datë 16.02.2024, Gjykata Komerciale – Dhoma e shkallës së parë, e ka detyruar Telekomin e Kosovës që t`ia paguaj “Dardafon”-it shumën prej 5,732,871.34 euro. Ky obligim financiar gjykata ka urdhëruar që të kryhet në afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.
Këtë shumë gjykata e ka caktuar në emër të borxhit të pa përmbushur përkitazi me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të datës 09.12.2016.
Me të njëjtin aktvendim Gjykata Komerciale e ka refuzuar në tërësi ankesën e debitorit – Telekomit të Kosovës të datës 14.11.2022 lidhur me pretendimet për parregullsitë e përmbaruesit Ilir Mulhaxha me rastin e ekzekutimit të urdhrit përmbarimor të datës 15.07.2019.
Njëlloj është refuzuar edhe propozimi i Telekomit për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit të procedurës përmbarimore.
Tjetër propozim i Telekomit të Kosovës (i bërë më datën 10.10.2022, i përsëritur edhe më 4 dhe 25.04.2022) ishte caktimi i masës së sigurimit me të cilën ka kërkuar që të detyrohet “Dardafon” që deri në përfundim të procedurës gjyqësore përmbarimore, të deponojë në llogari të gjykatës apo në një llogari tjetër të veçantë mjetet e inkasuara deri më tani përtej lartësisë së titullit ekzekutiv, në vlerë 13,116,165.73€, apo në vlerën e cila do të precizohet sipas gjetjes nga ekspertiza e re gjyqësore financiare nga grupi i ekspertëve.
Ky vendim i fundit i shkallës së parë erdhi pasi dhoma e shkallës së dytë për herë të tretë e kishte kthyer në rigjykim vendimin paraprak të dhomave të shkallës së parë të cilat kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016. Përmes këtij vendimi të marrë me 17.07.2023, edhe atëherë Telekomi i Kosovës ishte detyruar nga dhomat e shkallës së parë që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.
Por Dhoma e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, përkatësisht gjyqtari Faton Bajrami, vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë, nuk e përkrahi si të rregullt dhe të ligjshëm, duke elaboruar se aktvendimi kishte shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 par 1 të LPK –së, lidhur me neni 5, para 1, neni 160 të LPK-së, si dhe nenit 358.2 par.2 dhe par.4 të LPK –së lidhur me neni 199 të LPK –së, si dhe me shkelje nga neni 73.3 të LPP.
Pjesë e udhëzimeve është që Dhoma përkatëse e shkallës së parë të hapë seancë dëgjimore, të ftojë ekspertin financiar të angazhuar në procedurë që të japë sqarime dhe të mënjanojë paqartësitë apo mangësitë në dhënie të ekspertizës, të arsyetohet se cilat fakte u vërtetuan me provat e paraqitura / raportet financiare të pagesave të kryera nga palët në procedurë të cilat u dorëzuan pas seancës dëgjimore.
Por Dhomat e shkallës së parë duke u bazuar në Ligjin për Procedurë Përmbarimore i cili ndër të tjera përcakton se Gjykata mund të vendosë lidhur me prapësimin jashtë seancës gjyqësore, kanë vlerësuar se edhe caktimi i seancës dëgjimore në procedurën përmbarimore, përbën përjashtim, meqenëse caktimi i seancës dëgjimore ka për qëllim vetëm për të kuptuar plotësisht validitetin e prapësimit, nëse kjo rrethanë është e domosdoshme, ndërsa për mjetet provuese dhe marrjen e provave në këtë procedurë, gjykata vlerëson se nuk ka asnjë bazë ligjore që propozimet e tilla të trajtohen në këtë procedurë.
Udhëzimi i radhës ishte që Gjykata gjatë rigjykimit të shqyrtojë mundësinë e angazhimit të një grupi të ekspertëve për hartim të një ekspertize të re financiare.
Por në aktvendim gjykata thirret në Ligjin për Procedurë Përmbarimore duke cekur se sipas tij në procedurën përmbarimore të iniciuar pranë përmbaruesit privat, lejohet caktimi i ekspertizës vetëm për llogaritjen e kamatës dhe atë nga përmbaruesi privat, ndërsa asnjë dispozitë ligjore nuk parasheh mundësinë e caktimit të ekspertizës nga ana e Gjykatës. Në rastin konkret konstatimet e ekspertit të caktuar nga ana e përmbaruesit privat, përputhen plotësisht me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, të cekura dhe të elaboruara më lartë, andaj caktimi ekspertëve nga ana e Gjykatës, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe në rast të aprovimit të propozimeve të tilla, gjykata do të dilte jashtë objektit të shqyrtimit në një procedurë përmbarimore.
Gjithashtu dhoma e shkallës së dytë udhëzoi shkallën e parë të përcaktojë dhe trajtojë nëse Debitori ka parashtruar kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të përmbarimit apo vendosje të masës së sigurimit sipas dispozitave kontestimore.
Sipas aktvendimit, Gjykata duke u bazuar në vërejtjet e dhëna nga Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit për pezullimin e procedurës përmbarimore, e trajtoi edhe në kuptim të nenit 65 të LPP-së, mirëpo gjeti se në rastin konkret, kërkesa e Telekomit për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit nuk bazohet në asnjërën nga kushtet e përcaktuara në këtë dispozitë.
Udhëzimi i radhës ishte që shkalla e parë të vlerësojë mundësinë e vendosjes rreth Ankesës së Debitorit për parregullsitë me rastin e kryerjes së përmbarimit.
Lidhur me këtë pikë gjykata ka vlerësuar mes të tjerash se, meqenëse aktvendimi i Tribunalit të Arbitrazhit sipas të cilit është iniciuar kjo procedurë përmbarimore, sipas vlerësimit të gjykatës i plotëson kriteret për lejimin e ekzekutimit të tij dhe paraqet dokument përmbarimor/titull ekzekutiv, gjykata lidhur me këtë çështje përmbarimore vlerëson se nuk ekziston asnjëra nga bazat ligjore mbi bazën e të cilave do të mund të anulohet urdhri për lejimin e përmbarimit nga shkaqet e parashikuara në Ligjin për Procedurë Përmbarimore.
Telekomi i Kosovës e ka cilësuar antiligjor dhe të dëmshëm aktvendimin e Gjykatës Komerciale për kontestin nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-ës me kompaninë “Dardafon/Zmobile”. Sipas kryeshefes ekzekutive të Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, përmes këtij vendimi, hapen rrugë për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit “dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë euro të tjera”.
Hana, përmes një konference për media më 19.02.2024, tha se duhen të ndërmerren veprime urgjente për të parandaluar sipas saj “krimin financiar”.
I kontaktuar nga Kallxo.com avokati i “Dardafon”-it i autorizuar për këtë çështje është deklaruar lidhur me pretendimin e Telekomit se ka paguar më tepër se sa që është caktuar nga Arbitrazhi Ndërkombëtar.
“Unë mundem me e thënë vetëm një gjë në kuptim të asaj që e ka deklaru Telekomi në konferencë, gjithë pretendimi i Telekomit është që prej dokumentit mbi bazën e të cilit është inicuar përmbarimi thirren se po paguajnë më tepër, nuk është çështja që po paguhet më tepër, mirëpo po paguhet interesi, kamata. Këtë gjë e rregullon ligji, çështja e kamatë vonesës paguhet në varësi prej vonesës së pagesës së detyrimit” – ka deklaruar avokati Alban Makolli.
Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafon”-it.
Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi pretendon se kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.
Sipas pretendimeve të Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.
Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë financiare, të cilën e kishte përpiluar eksperti financiar Remzi Ismajli. Ai ishte caktuar nga organi përmbarues në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale të datës 27.10.2022 për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare.
“Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’ – thuhet në vendimin e Gjykatës.
Ismajli në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafon”-it edhe rreth 5,732,871.34 euro.
Tutje, i njëjti kishte deklaruar se nga llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhrit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës 17.11.2020.
Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.
Gjykata e Prishtinës me konkluzion, më 25.04.2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.
Sipas vendimit të Gjykatës, debitori – Telekomi i Kosovës Sh.A., e kishte kundërshtuar këtë ekspertizë në vazhdimësi edhe gjatë mbajtjes së seancave dëgjimore në riprocedurë.
Sipas vendimit, Gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare – plotësimit të saj të datës 31.01.2023 të realizuar në procedurë përmbarimore nga eksperti financiar Remzi Ismajli.