Berisha i NISMA-s: Thaçi njeriu më i papërgjegjshëm i skenës politike

Nisma Socialdemokrate kërkon të miratohet vetëm një rezolutë për dialogun

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha e quajti të plogët reagimin e institucioneve të Kosovës pas vizitës së presidentin të Serbisë Aleksandër Vuçiq në fundjavën e kaluar në veri të Kosovës.

“Pas vizitës së Vuçiqit institucionet kanë treguar neglizhencë  dhe reagim të plogët. Vuçiq na ka rikthyer në vitet e 80’ta si Millosheviçi kur përgatiste konflikte në ish-Jugollsvi. Në protestat në Skenderaj, qytetarët kanë treguar se janë shumë më përpara institucioneve. Fjalimet e Vuçiqit të jenë mësim për institucionet dhe presidentin”, tha ai.

Ndërsa për çështjen e dialogut, Berisha tha se presidenti Hashim Thaçi është njeriu më i papërgjegjshëm i skenës politike.

“Pozita dhe opozita kanë nevojë të bëhen bashkë, nuk duhet të përdoren me logjikën ‘për inat të resë të më vdektë djali’. Hashim Thaçi është njeri më i papërgjegjshëm që ka pasur skena politike që nga paslufta”, tha ai.

Sipas deputetit, Kuvendi duhet të mbajë një seancë të vetme për dialogun me Serbinë.

“Si Nismë konsiderojmë se duhet të kemi seancë por jo dy seanca, sepse materia në dy seanca është e njëjta. Të formohet ekipi i unitetit me z. Limaj në krye dhe të nxirret një rezolutë”, përfundoi ai.