Bahtiri Dëshiron Gjykim nga EULEX-i

Mahmut Halimi, avokati i Agim Bahtirit e tregoi këtë në një konferencë për shtyp, ku foli rreth aktakuzës së ngritur ndaj kryetarit të Mitrovicës.

Agim Bahtiri kryetari i Komunës së Mitrovicës nuk i beson drejtësisë kosovare, kjo gjë u bë e ditur nga avokati i tij Mahmut Halimi.

Halimi tha së akuza ndaj Bahtirit dhe dy të tjerëve  nuk ka bazë ligjore dhe si e tillë është ngritur vetëm sa për lajme të konsumit ditor.

“Bahtiri mua ma ka konfirmuar se do të kërkojë që kjo çështje të gjykohet nga ana e EULEX-it, për këtë jam duke menduar deri sa t’i studioj shkresat e lëndës,” tha Halimi.

Halimi e arsyetoi edhe mosbesimin e klientit të tij në sistemin kosovar të drejtësisë.

“Vetë mënyra se si ka ardhur deri të kjo akuzë, vetë shtjellimet konkrete të dispozitivit bëjnë me dyshua së gjykatat tona nuk do të jenë objektive, ose do jenë të dirigjuara nga sferat e ndryshme të interesave nga të cilat të gjithë jemi të brengosur,” tha Halimi.

Dje Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit në këtë komunë Haxhimet Ferati dhe biznesmenit Gazmend Kelmendi.

Bahtiri e Ferati akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Gazmend Kelmendi për marrëveshje për kufizim të konkurrencës.

Bëhet fjalë për një kontratë mes Komunës së Mitrovicës dhe kompanisë “Hesalight A/S” me të cilën prokuroria pretendon se buxhetit të komunës dhe shtetit i është shkaktuar dëm prej 700 mijë eurosh.

Kjo kontratë ishte nënshkruar vitin e kaluar.

KALLXO.com shkroi dje për ngritjen e aktakuzës ndaj Bahtirit.

http://kallxo.com/agim-bahtiri-nuk-eshte-ne-dijeni-per-aktakuzen