Fjala përfundimtare në aferën e 53-milionëshit, Prokuroria kërkon dënim maksimal për Pal Lekajn dhe të tjerët

Gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, Nebih Shatrit, Eset Berishës dhe Besim Tahirit, të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin e njohur si “53-milionëshi”, ka përfunduar sot me fjalët përfundimtare të të akuzuarve dhe prokurorëve.

Për ta përfaqësuar Prokurorinë në Gjykim sot ishin të pranishëm dy prokurorët që kanë ngritur aktakuzën e këtij rasti, Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.

Fjalën përfundimtare e filloi prokurori Gashi, i cili kërkoi dënim maksimal ashtu siç e parasheh ligji për katër të akuzuarit.

“Kërkojmë nga Gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat që ua ngarkon aktakuza. Kërkojmë që të pandehurit të dënohen me dënim maksimal të caktuar për veprën penale për të cilën ngarkohen”- ishte propozimi i Gashit pas elaborimit të fjalës përfundimtare.

Gashi këtë e kërkoi pasi tha se me të gjitha provat që janë paraqitur në aktakuzë e që janë elaboruar do të vërtetohen në tërësi pretendimet që i ka parashtruar Prokuroria përmes aktakuzës sepse veprimet inkriminuese të të pandehurve janë kryer me dashje.

“Duke u bazuar në të gjitha provat gjatë këtij shqyrtimi konsiderojmë që janë vërtetuar në tërësi pretendimet e Prokurorisë”- u deklarua prokurori special.

Si rrethanë në matje të dënimit prokurori special propozoi që të merret rrethana në të cilën është kryer vepra penale si dhe fakti se kanë shfrytëzuar besimin e institucionit apo pozitën të cilën e kanë mbajtur.

“Të marrë parasysh rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, intensitetin e rrezikimit apo tentimit të vlerës së mbrojtur siç është në rastin konkret dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës në shkallë të madhe”- ishte propozimi i Gashit.

Tutje më dhënien e fjalës përfundimtare vazhdoi avokati Musa Damati, i cili e mbron Pal Lekajn.

Ai ngriti si çështje diskutimi se pse vetëm ish-ministri i Infrastrukturës gjendet në bankën e të akuzuarve nëse Komiteti Drejtues Ndërministror përbëhej prej pesë anëtarëve e që, sipas Damatit, Prokuroria thotë që ky Komitet ka pasur rol vendimmarrës në ekzekutimin e 53 milionë eurove.

Damati tha se Prokuroria me aktakuzë nuk ka arritur të dëshifrojë se ku kanë përfunduar 53 milionë euro.

“Aktakuza për më tepër nuk ka arritur që të dëshifrojë misterin e asaj se ku kanë përfunduar, në llogari të kujt kanë përfunduar 53 milionë euro. Në llogarinë e klinetit tim ato nuk kanë përfunduar”- tha Damati.

Me fjalën përfundimtare u pajtua i akuzuari Pal Lekaj, i cili nuk shtoi gjë tjetër lidhur me këtë rast.

Kritika për aktakuzën e Prokurorisë kishte edhe nga avokati Florent Latifaj që mbron Nebih Shatrin, i cili tha se ky formulim i aktakuzës ndodh kur ka frikë që të hetohet personi që ka nënshkruar ekzekutimin e 53 milionëve.

“Ky formulim ndodh kur s’din me ia lidhë kryet ose s’din ka me ia ngjitë ose ke frikë, ke frikë me hetu personin apo institucionin që e ka nënshkru 53-milionëshin për me iu pagu ‘Bechtel’-it”-tha Latifaj.

Duke u pajtuar me të thënat e mbrojtësit të tij, Nebih Shatri shtoi se është keqinterpretim i Prokurorisë pretendimi se pagesa prej 53 milionë eurove ka ardhë për shkak të vazhdimit të marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve.

“Sido t’kisha vepru unë kisha përfundu me aktakuzë, sikur mos të kisha nënshkru kish me qenë aktakuza “pse s’e ke nënshkru?”. Kur sot jam “pse e kam nënshkru”- përfundoi deklarimin Shatri.

I akuzuari Eset Berisha, që përfaqësohet nga avokati Afrim Salihu, tha se nga provat e lëndës kuptohet fakti se shkaktar për pagesën e 53 milionë eurove ka qenë neglizhenca që e ka bërë Qeveria e Kosovës nga viti 2015 e tutje.

“Në shkresat, provat e mbledhura nga vetë prokuroria mund të kuptohet fakti se shkak i pagesës së 53 milion eurove ishte neglizhenca në vazhdimësi e Qeverisë së Kosovës prej vitit 2015 e tutje për të ndarë mjete të mjaftueshme buxhetore me të cilat do të financohej ndonjë projekt aq i madh”- tha Berisha.

Berisha kërkoi nga trupi gjykues që të shqyrtohen me kujdes provat dhe të kihet parasysh se kompetencat e këshilltarit nuk mundësojnë në asnjë mënyrë që të konsumohet vepra penale e keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Dhe krejt në fund me fjalën përfundimtare vazhdoi Urim Vokshi, që mbron të akuzuarin Besim Tahiri, i cili tha se vepra penale që akuzohet i mbrojturi i tij duhet të ekzistojë dashja, e që në këtë rast nuk ka element të dashjes.

“Në rastin konkret nuk ekziston elementi i dashjes te Besim Tahiri” – tha Vokshi.

I njëjti potencoi faktin se Prokuroria për të mbrojturin e tij ka ngritur aktakuzë për një muaj, duke aluduar që aktakuza për Tahirin veçse ka qenë e ngritur edhe pse i njëjti në atë kohë nuk ishte dëgjuar si i pandehur.

“Hetimet kanë fillu më 14 janar 2022, Besimi u dëgju më 16 shkurt 2022, aktakuza u ngrit më 18 shkurt, do të thotë një muaj mbasi është ngritë aktakuza. Dilemë është çfarë hetime munden me u zhvillu në këtë lëndë voluminoze për një muaj. Aktakuza u kanë gati për Besim Tahirin, hala pa u dëgju ky”- përmbylli fjalën përfundimtare Vokshi duke kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij.

Për dallim nga Prokuroria, aktgjykim lirues kërkuan të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve.

Ky rast po gjykohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues me kryetaren Violeta Namani dhe anëtarët Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel-Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më 27 nëntor 2017 të paraqesë një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro, e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK .