Lirimi nga akuzat, Konjufca: Jam befasuar, kam pritur që do të dënohem

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka komentuar vendimin e gjykatës në rastin ndaj tij, duke thënë se ka qenë ‘befasi’ vendimi për lirimin nga akuzat për gazin lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

Konjufca para mediave deklaroi se ishte përgatitur që të dënohej, me kusht ose me gjobë.

“Ka qenë një proces që është zvarritur së tepërmi. Që lirohem krejt ka qenë befasi edhe për mua, se kam prit që ose me kusht ose me gjobë. U bazu ndoshta në dëshmitarë, por nuk dua të thellohem më shumë… Nuk do e kisha problem nëse do isha dënuar. U pata përgatit” – ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës më 01.03.2024.

26.02.2024 Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuzat kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën për gazin lotsjellës në një nga Mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, në vitin 2016.

Gjyqtarja e rastit Edita Çanta kishte thënë se nga provat personale dhe materiale nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën penale në fjalë.

Kurse lidhur me pikën e dytë të akuzës ndaj Konjufcës ‘Pengimi i personit zyrtar’, gjykata kishte konfirmuar se e njëjta ka arritur parashkrimin absolut që në gusht të vitit 2022, çka do të thotë se e njëjta nuk mund të ndiqet më penalisht.

Glauk Konjufca gjithashtu ishte liruar nga shpenzimet procedurale dhe paushalli gjyqësor. Konjufca nuk kishte qenë prezent në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit më 26.02.2024.

Palët e pakënaqura do të mund ta ankimojnë këtë vendim në afat prej 30-ditësh.

Sipas aktakuzës së 03.02.2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Më 21.02.2024, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje para Gjykatës së Prishtinës gjatë dhënies së mbrojtjes së tij nën akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës.

“Deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi. Asaj i përmbahem, kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje, të cilën ma mundëson edhe ligji.” – kishte thënë Konjufca para gjykatës.