Seanca 01.03.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto/KALLXO.com

Për herë të katërt radhazi shtyhet gjykimi ndaj ministrit Xhelal Sveçla dhe të tjerëve për hedhje të gazit lotsjellës

Për herë të katër me radhë nuk ka arritur të mbahet gjykimi ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetëve Salih Zyba, Fitore Pacolli e Drita Millaku, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21.03.2018.

Edhe seancat e kaluara të planifikuara për t’u mbajtur më 28.02.2024, 06.02.2024 dhe 16.01.2024 kishin dështuar të mbaheshin për shkak të mosprezencës së Fitore Pacollit e Drita Millakut.

Në seancën e planifikuar për 28.02.2024 kishte munguar Fitore Pacolli, në seancën e 06.02.2024 kishte munguar Drita Millaku kurse në seancën e 16.01.2024 kishin munguar të dyja.

Në seancën e së premtes, më 01.03.2024 mungoi Drita Millaku, për të cilën gjyqtari Sabit Sadikaj tha se ka dorëzuar në gjykatë raporte mjekësore lidhur me gjendjen e saj shëndetësore, por kjo nuk ishte arsyeja pse seanca e sotme dështoi të mbahej.

Në mesin e provave me të cilat Prokuroria i mbështet akuzat e saj, janë edhe incizimet nga salla e Kuvendit, për të cilat avokatët mbrojtës të tyre thanë se nuk i posedojnë të gjitha në tërësi e kanë problem që të hapen ato që i posedojnë.

Kjo bëri që seanca e së premtes, më 01.03.2024, të mos mbahet dhe gjykimi të shtyhet deri më 26.03.2024.

Veçimin e procedurës ndaj deputetes Drita Millaku e kërkoi prokurori Eset Rama, dhe u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarëve.

Sipas gjyqtarit, nëse deputetja Millaku nuk do të vijë në gjykatë më 26.03.2024, ndaj saj do të ndahet lënda dhe procesi do të vazhdojë për të akuzuarit Xhelal Sveçla, Salih Zybës e Fitore Pacollit derisa Millakut t’i përmirësohet gjendja shëndetësore.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 26.07.2019.

Sipas Prokurorisë, hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit, dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.

Me këto veprime, ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në polici.

Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes kritike.

Aktakuza është ngritur nga prokurori Eset Rama, kurse gjyqtari i rastit është Sabit Sadikaj.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK