Astrit Dehari | Foto: LVV

Autopsia e Astrit Deharit Sot në Ora 14:00

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa u shprehu ngushëllime familjarëve të Astrit Deharit. Ai kërkoi nga institucionet që të merren të gjitha veprimet e nevojshme e të pavarura që të arrihet deri te zbardhja e rrethanave të vdekjes së tij.

Kryeministri kërkoi që të gjeturat nga autopsia e trupit të aktivistit të Vetëvendosjes të jenë transparente për publikun.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se autopsia do të fillojë sot në orën 14:00.

“Do të ketë ekspert vëzhgues, të cilin e ka caktuar familja, në procesin e autopsisë, i cili do të nisë sot në orën 14:00. Aty do të jenë edhe pjesëtarët e EULEX-it që janë përgjigjës për mjekësinë ligjore. Kemi edhe inspektoratin e shërbimit korrektues në kuadër në Ministrisë së Drejtësisë. Pas marrjes së raportit do të marrim hapat e nevojshëm”, tha ministrja Hoxha.