Isa Mustafa

Isa Mustafa krition pushtetin në Prishtinë për instalim të kamerave: Unë me shkop, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka kritikuar qeverisjen e LDK-së në kryeqytet për planin e prezantuar se do të instalojë kamera të mençura nëpër hapësira publike.

Sipas tij, Prishtina nuk ka nevojë që të kryejë vëzhgime të qytetarëve të saj, duke përmendur edhe iniciativën që kishte pasur po ashtu gjatë kohës sa qeveriste me kryeqytetin.

“Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë”- ka shkruar Mustafa në rrejtin social Facebook.

Ai theksoi se instalimi i tillë i kamerave, me të cilat mbikëqyret çdo lëvizje, do mund t’u krijonte probleme qytetarëve, pa asnjë faj.

Ai theksoi se nuk pajtohet që në qytetin e tij, të vëzhgohet nga kamerat pasi nuk cënon askënd.

“Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë, sepse nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj. Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd”- ka shtuar tutje Mustafa.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ditë më parë bëri të ditur se këtë vit do të nis instalimi i kamerave të sigurisë me inteligjencë të lartë artificiale, të cilat do jenë në monitorim të policisë.

Sipas tij, këto kamera do të ndihmojnë në identifikim të personave që përfshihen në rrahje, vjedhje, shkelje të rregullave në trafik etj.