Asgjësohen Dokumente për t’i Bërë Vend Bufesë

Komuna e Rahovecit ka shkatërruar disa dokumente që i cilëson të pavlefshme për t’i bërë vend një bufeje.

Dokumentet janë klasifikuar dhe disa pastaj janë asgjësuar ngase përveç hapjes së bufesë objekti i Komunës së Rahovecit është duke u rinovuar.

Drejtori i Administratës në këtë komunë Sali Sallteku tha për KALLXO.com se janë asgjësuar dokumente të pavlefshme, si kërkesa për certifikata të lindjes, për subvencione në bujqësi e fletore zyrtare.

“Unë si drejtor i administratës kam bërë komisionin prej tre anëtarëve për shkak se është tu rregullu në komunë, brenda komunës është duke u bërë lyerja e komunës dhe është duke u rregulluar një bufe poshtë dhe ka pasë dokumente të pavlefshme. Nga ana e Drejtorisë së Administratës kam kërkuar që t’i shikojë të gjitha dokumente çka ka. Asnjë dokument që ka vlerë dhe që në aspektin ligjor duhet të arkivohet, asnjë nuk është humbur,” tha Sallteku.

Por ish-kryetari i Rahovecit nga AAK-ja Smajl Latifi dyshon se asgjësimi i dokumenteve nuk është kryer sipas procedurës ligjore.

“Pavarësisht se mund të arsyetohen zyrtarët e komunës se kanë ndjekur procedurat ligjore për asgjësimin e dokumenteve, gjerësisht në klasifikimin e tyre në të rëndësishme, të parëndësishme e tjera e tjera, unë nuk i besoj shumë kësaj situate, edhe pse ndoshta është mirë që të hulumtohet se a janë zbatuar praktikisht të gjitha procedurat ligjore,” tha Latifi.

Por duke iu përgjigjur këtyre dyshimeve, drejtori i Administratës Sallteku thotë se janë shkatërruar vetëm dokumentet e panevojshme.

“Janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, sepse nga secila drejtori kam pasur unë komision, nga secila drejtori është formuar një komision në kuadër të Zyrës së Kryetarit dhe me përgjegjësi i ka marrë komisioni, çka ka qenë për mi shti në arkiv i kanë shti, çka kanë qenë për mi asgjësua i kanë asgjësua,” shpjegon Sallteku.

Dokumentet e asgjësuara janë ricikluar dhe komuna ka marrë tri pako me letra të formatit A4 nga ky proces.