Banorët në Hoçë të Madhe protestojnë kundër aksionit të Doganës për sekuestrimin e alkoolit, kërkohet asistenca e Policisë

Edhe sot është duke vazhduar aksioni i Doganës së Kosovës, për konfiskimin e alkoolit në fshatin Hoqë e Madhe të komunës së Rahovecit.

Por kësaj here Dogana ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi që shumë qytetarë vendas të këtij fshati janë mbledhur pranë lokacionit ku synohet të bëhet konfiskimi i alkoolit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Po është duke vazhdu ai aksion, Dogana ka kërkuar asistim për tërheqjen e disa litrave alkool, edhe ai njoftimi i më hershëm, po vazhdon tërheqjen e materialit. Policia po vazhdon me i asistu doganierët. Vazhdimisht qytetarët mblidhen, por për detaje të tjera do të dalim më komunikatë” –  ka bërë të ditur Elezaj.

 

Dogana e Kosovës ka njoftuar se dje ka sekuestruar 42 mijë litra pije alkoolike pasi ka realizuar një kontrollë rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit.

“Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit” – theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky aktivitet afarist është i paregjistruar dhe nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, dhe sipas tyre përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

Dogana sqaron sekuestrimin e 42 mijë litrave pije alkoolike në Hoçë të Madhe (VIDEO)