Komuna e Rahovecit themelon fond për të ndihmuar zonat e përmbytura nga vërshimet
Komuna e Rahovecit njofton se, pas dëmeve të shkaktuara në shumë qytete të Kosovës nga reshjet atmosfererike, kryetari Smajl Latifi ka vendosur të themelojë “Fondi për Solidaritet për Zonat e përmbytura”.
Në një postim në facebook, Latifi ka thënë se përmes këtij fondi mund të ndihmohen qytetarët me veshmbathje, pako ushqimiore dhe për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
“Pas reshjeve të fundit atmosferike, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të tjera në shumë qytete të Kosovës, por edhe në Rahovec, duke i ballafaquar qytetarët me mungesa të ujit të pijshëm, bllokim të rrugëve dhe dëme të konsiderueshme materiale, kam marr sot vendim që të themelohet “Fondi për Solidaritet për Zonat e përmbytura”, ku secili njeri që ka vullnetin e mirë dhe që i kushton zemra, mund të ndihmojë qytetarët me veshmbathje, pako ushqimore, higjienike për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet”- ka bërë të ditur Latifi.
Sipas njoftimit, koordinator për komunën e Rahovecit, është caktuar nënkryetari, Fatmir Iska.
Disa rajone të vendit gjatë së enjtes u përfshinë nga vërshime. Komunat më të prekura ishin, Skenderaj, Mitrovica, Peja, Istogu dhe Podujeva.