Gjykimi për vrasjen e vëllezërve në Deçan. FOTO: KALLXO.com

Apeli shqyrton ankesat ndaj aktgjykimit për vrasje e dy vëllezërve

Gjykata e Apelit i ka shqyrtuar ankesat në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve, Rexhep e Burim Ramaj, vrasje kjo e cila ka ndodhur në gusht të vitit 2016 në fshatin Shaptej të Deçanit.

Mbrojtësit e dy të akuzuarve për vrasje në bashkëkryerje në Deçan kërkuan ndryshimin e veprës penale për të cilën janë dënuar klientët e tyre, ndërsa familjarët e të ndjerëve kërkuan ashpërsimin e dënimit për dy të akuzuarit.

Avokatët e të akuzuarve Salih e Durim Lushajt të pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore kishin ushtruar të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Gëzim Kollçaku, aktgjykimin e Gjykatës Themelore e kishte ankimuar me një ankesë 15 faqesh në të cilën kishte përmbledhur arsyet për të cilat sipas tij Gjykata Themelore në Pejë e ka vlerësuar gabimisht rastin.

Sipas avokatit Kollçaku aktgjykimi i Gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje të dispozitave ligjore për arsye se sipas avokatit Gjykata Themelore e Pejës gabimisht e ka vlerësuar gjendjen faktike dhe nuk e ka arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme arsyetimin në lidhje me këtë çështje.

Ai i ka kërkuar kolegjit gjykues të Gjykatës së Apelit që të mbrojturin e tij ta shpallë fajtor për veprën penale vrasje e rëndë si pasojë e tronditjes, pasi që sipas tij i akuzuari Durim Lushaj veprën penale e ka kryer në gjendje të tronditjes së rëndë mendore.

“Kjo është kryer nën gjendje të rënde mendore, pas lëndimit i njëjti ka qenë në një gjendje të tronditjes së rëndë mendore edhe ekspertiza ka vërtetuar se vepra penale është kryer si pasojë e tronditjes së rëndë mendore. I akuzuari Durim të shpallet fajtor i kryerjes së veprës penale vrasje e rëndë si pasojë e tronditjes”, thuhet në ankesën e avokatit Gëzim Kollçaku të paraqitur pranë Gjykatës së Apelit.

I pranishëm në Gjykatë, avokati Kollçaku tha se përkundër faktit se në aktgjykimin e Gjykatës Themelore thuhet se të akuzuarit asnjëherë nuk kanë shprehur keqardhje për vrasjen që ka ndodhur, sipas tij një gjë e tillë nuk është e vërtetë pasi që të akuzuarit disa herë kanë shprehur keqardhje për atë çka ka ndodhur dhe se një gjë e tillë mund të vërtetohet edhe me procesverbalet nga seancat gjyqësore.

“Ne kemi shprehë keqardhje çdo herë. Gjykata kur flet për rrethanat lehtësuese thotë se ai asnjëherë nuk ka shprehë keqardhje ai çdo herë ka thënë më vjen keq më vjen keq”, tha Kollçaku.

Edhe mbrojtësja e Salih Lushajt, avokatja Kosovare Kelmendi pati ankesa sa i përket aktgjykimit të Gjykatës së Pejës.

Ajo tha se në aktgjykim ka të pavërteta pasi që sipas avokates i gjithë hetimi ka filluar mbrapsht dhe se i mbrojturi i saj nuk ka pasur një gjykim “fer”.

“Salih Lushaj nuk ka pasur gjykim fer dhe të drejtë këtë po ja u them me sinqeritet të plotë, sepse hetimi ka filluar mbrapsht. Nuk është e rastësishme që në atë aktgjykim të mos përmendet as fjala përfundimtare. Në këtë aktgjykim ka të pavërteta më vjen keq që shprehem ashtu por ka të pavërteta”, tha avokatja Kelmendi.

Ajo tha se edhe as ajo si mbrojtëse nuk është trajtuar drejtë pasi që sipas saj në aktgjykimin e Gjykatës kritikohet edhe mbrojtja e të akuzuarit.

“Në arsyetim të aktgjykimit përmendet edhe teza e mbrojtjes edhe po të kthehet kjo lëndë në rigjykim unë nuk pres gjykim të drejtë prej Gjykatës në Peje. Po të kisha fuqi do të kërkoja përjashtimin e këtij trupi gjykues”, tha avokatja Kosovare Kelmendi.

Ajo i kërkoi Gjykatës së Apelit që të mbrojturin e saj të lirojë nga vepra penale e vrasjes dhe të njëjtin ta shpallë fajtor vetëm për pjesëmarrje në rrahje apo në rastin tjetër rasatin ta kthej në rigjykim.

Kelmendi me anë të ankesës i kishte thënë se Gjykata ka bërë tejkalim të aktakuzës pasi që sipas saj në aktakuzë thuhet diçka tjetër e në aktgjykim diçka tjetër.

“Gjykata ka bërë tejkalimin e aktakuzës, mbrojtja nuk e ka të qartë se cili përshkrim është i vërtetë apo i saktë pasi që në aktakuzë thuhet ndryshe e në dispozitiv të aktgjykimit ndryshe. Dispozitivi është i paqartë është kundërthënës, gjykata me rastin e analizimit të provave paraqet një tjetër aktgjykim se sa ajo që është paraqitur në aktakuzë”, thuhet në ankesën e parashtruar nga avokatja Kelmendi.

Ndërsa familjarët e të ndjerëve kërkuan dënim me të rëndë ndaj të akuzuarve.

Adonis Ramaj tha se dënimi duhet të jetë më i rëndë për faktin se të ndjerët janë vrarë para dyerve të shtëpisë së tyre.

“Mendoj që duhet me u dënu edhe më shumë sepse i kanë vra para dyerve të shtëpisë”, tha Adonis Ramaj.

Kurse Gani Ramaj tha se dënimi nuk ka qenë i mjaftueshëm kundrejt veprës së kryer.

“Masakër kanë bo, edhe pa ju bo kurgjo hiq. Dënimi nuk u kon tamon”, tha Gani Ramaj.

Kurse dy të akuzuarit kur u deklaruan thanë se mbetën pranë ankesave të mbrojtësve të tyre si dhe njëherësh shprehen përsëri keqardhje për rastin e ndodhur.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri. I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhepin bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt po ashtu me armë zjarri.

Që të dy akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në Mars të këtij viti Gjykata Themelore në Pejë dy të akuzuarit i kishte shpallur fajtor për vrasjen e dy vëllezërve, Rexhep e Burim Ramaj.

Durim Lushaj ishte dënuar me 24 vjet burgim për vrasje, ndërsa dy vjet për armëmbajtje pa leje, atij Gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej 25 vjetësh burgim.

Ndërsa Salih Lushaj, ishte dënuar me 17 vjet burgim për bashkëpjesëmarrje në vrasje të rëndë dhe dy vjet për armëmbajtje pa leje, të njëjtit i ishte shqiptuar dënimi unik prej 18 vjetëve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti, nga incidenti i ndodhur e deri tek përfundimi i procesit gjyqësor.

Të gjitha raportimet mund t’i gjeni në ketë link.