Aktakuzë ndaj Drejtorit të Arsimit në Viti

Prokuroria Themelore në Gjilan më datë  16 nëntor 2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Qahil Sahitit i cili është Drejtori i Arsimit në komunën e Vitisë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë me 1 gusht të vitit 2015 i pandehuri me dashje ka cenuar të drejtën e punësimit të të dëmtuarës Luljeta Pira duke ia mohuar të drejtën për punësim.

I kontaktuar nga KALLXO.com Sahiti tha se kjo aktakuzë nuk qëndron pasi nuk ka pasur shkelje në të drejtat e punësimit.

Për drejtorin Sahiti prokuroria është ngutur me këtë konkludim.

Prokuroria akuzon Sahitin se ka pranuar një mësimdhënës pa hapur konkurs.

“Konkursi ka qenë i shpallur vetëm për mësimdhënës të muzikës, ndërsa për lëndën përkatëse gjeografi nuk ka pasur  fare konkurs dhe duke mos i zbatuar rregullat e konkursit pranon kandidatin tjetër Faik Ramadanin, edhe pse për atë pozitë ka qenë i obliguar të hapë konkurs pune,” thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorisë, të dëmtuarës edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me konkurs, i është mohuar e drejta për punësim të lirë nën kushte të njëjta, me çka i pandehuri Qahit Sahiti ka kryer veprën penale cenim të të drejtave të punësimit dhe të papunësimit.

Dje KALLXO.com shkroi për aktakuzat e deritashme ndaj zyrtarëve të pushteteve lokale nëpër Kosovë, ndërsa të enjten u diskutua për këtë temë në Emisionin “Jeta në Kosovë”.

http://kallxo.com/komunat-ne-gjyq/

[interaction id=”56daaed836e5105a3a594f6c”]