Prokuroria Themelore në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Aktakuza, Prokuroria në Gjilan tregon rrethanat e vrasjes së gruas natën e Vitit të Ri

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Jakup Jakupit, për vrasjen e gruas së tij.

Në natën e ndërrimit të mot moteve, më saktësisht më 1 janar, rreth orës 00:10, Jakup Jakupi nga fshati Selishtë, në Komunën e Gjilanit, akuzohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Zahide Jakupi.

Në aktakuzë thuhet se derisa Jakup Jakupi, ka qenë duke festuar fillimin e festës së vitit të ri, ka tentuar të gjuajë në ajër me armë të gjuetisë, ku kjo e fundit më pas është bllokuar dhe nuk ka shkrepur, e Jakupi duke tentuar ta rregullonte, e njëjta ka shkrepur dhe në një distancë prej 1-2 metra nga ku e ka goditur gruan e tij në pjesën e epërme të shpinës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Sipas prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje nga pakujdesia.

https://kallxo.com/vritet-nje-grua-ne-gjilan/

“Gjithashtu, i njëjti, pa leje dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi armën e gjuetisë, të markës Hungarian Sumbachine Gun, model 53. Në këtë mënyrë, akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës, që i pandehuri të shpallet fajtor për këto vepra penale dhe të dënohet sipas Ligjit, si dhe të njëjtit t’i konfiskohet arma e gjuetisë.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me rastin.

https://kallxo.com/prokuroria-gruaja-ne-gjilan-u-qellua-nga-3-metra-nga-burri/