Ilustrim

Kokaina e lojërat e fatit, Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë kundër tre personave

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë për shitblerje të narkotikëve dhe organizim të skemave piramidale kundër tre personave.

Aktakuza është ngritur ndaj A.E., B.E. dhe T.B. për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer dy vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.E. dhe A.E. nga koha e pavërtetuar deri më datë 30 gusht 2023 rreth orës 14:00, në shtëpinë e tyre në fshatin Zhur dhe në qytetin e Prizrenit, pa autorizim kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.

Sipas aktakuzës, lloji i narkotikëve ka qenë kokainë. Dy të pandehurit akuzohen se kokainën e siguruar përmes rrugëve ilegale e kanë mbajtur në shtëpinë e tyre në fshatin Zhur.

Më pas, aktakuza thotë se nga aty të dy kanë shitur në sasi të vogla personave të ndryshëm në fshatin Zhur dhe në qytetin e Prizrenit.

Prokuroria ka thënë se gjatë hetimit të rastit, më datë 30 gusht të vitit të kaluar 2023, i pandehuri A.E., derisa ishte duke drejtuar veturën e markës “Fiat Croma” në Prizren është arrestuar.

Po atë ditë, Policia e Kosovës të njëjtit ia kishte sekuestruar dy qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 2.55 gramë.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, zyrtarët përgjegjës gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurve kanë gjetur dhe sekuestruar një peshore digjitale ngjyrë e zezë, dhe 45 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 23.04 gramë.

Po ashtu, në vendin e njëjtë ishin gjetur 3 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 52.34 gramë dhe një qese najloni në peshë prej 1.76 gram, të cilat substanca narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, kanë rezultuar të jenë të llojit kokainë.

Prokuroria ka thënë se nga matjet neto me peshë të përgjithshme kokaina ka rezultuar se ka qenë gjithsej 65.76 gramë.

Në njoftim është thënë se me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Tutje është thënë se i pandehuri i tretë, T.B., me dashje i ka ndihmuar të pandehurit e parë në kryerjen e veprës penale, duke i siguruar klientë të ndryshëm për blerje të narkotikut.

Prokuroria tha se të pandehurit B.E., dhe A.E., po ashtu nga koha e pavërtetuar në vitin 2021 deri më datë 30 gusht 2023, në vazhdimësi, në fshatin Zhur, në një lokal dhe përmes mjeteve elektronike, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë organizuar lojëra të fatit.

Për këto lojëra Prokuroria ka thënë se nuk i ishte dhënë licenca.

Të pandehurit në bashkëkryerje, në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë përmes telefonave mobil dhe kompjuterit që gjendej në lokalin e lartcekur, kishin instaluar llogari të ndryshme nga web faqe të ndryshme për lojëra të fatit, nga të cilat web faqe krijonin llogari për klientë të ndryshëm, më pas në ato llogari u dërgojnë të holla klientëve për të zhvilluar lojëra të fatit dhe më pas këta të fundit paguajnë të hollat kesh për të pandehurit.

Me këto veprime në bashkëkryerje, B.E. dhe A.E. kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit” – është thënë në njoftim.

Tutje u tha se po ashtu, prokurori ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të konfiskohen sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, të cilat janë sekuestruar përkohësisht.

Mjete në fjalë janë një automjet Fiat Croma, ngjyrë hiri metalike, një automjet Citroen C-Elysee, ngjyrë e bardhë, tre telefona: Sony Xperia, IPHONE X dhe Samsung, kartëmonedha në vlerë prej 1 mijë e 140 euro dhe 40 Franga Zvicerane, 51 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë me peshë 79.69 gram, një peshore digjitale ngjyrë e zezë si dhe një DVR.