Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: ZPRK

AGK: President, Përgjigju në Pyetjet e Gazetarëve!

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj konferencës së sotme të Presidentit Hashim Thaçi për shkak të mos lejimit për pyetje nga ana e gazetarëve duke kërkuar nga zyra e Presidentit që t’i kërkojë falje gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron të papranueshëm veprimin e presidentit Hashim Thaçi i cili gjatë konferencës së sotme nuk pranoi pyetjet e gazetarëve. E rikujtojmë presidentin Thaçi, se ai e ka për obligim që t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve. Veprimi i sotëm i presidencës paraqet mosrespektim të gazetarëve dhe injorim të punës sonë.  Njëherësh kërkojmë nga presidenca që t’iu kërkojë falje të gjithë gazetarëve për ngjarjen e sotme”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja në reagimin e vet ka kërkuar prej presidentit që në daljet e tij të ardhshme t’i pranojë pyetjet e gazetarëve, pasi që sipas tyre, presidenca si institucion duhet të jetë pikë reference e transparencës.

Përveç presidentit, AGK-ja ka kërkuar edhe nga udhëheqësit e institucioneve tjera që të jenë më të hapur nga mediat ngase “Facebook-u nuk është mjet i mirë i komunikimit”.

“Duke shfrytëzuar këtë rast, njëherësh iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të jenë më të hapur për mediet. Statuset e “Facebook-ut” nuk janë mjet i mirë i komunikimit, andaj të gjithë personat që mbajnë pozita të larta udhëheqëse në Kosovë duhet ta mendojnë seriozisht përmirësimin e komunikimit me gazetarët”, përfundon komunikata e AGK-së.

Presidenti Thaçi mbajti sot konferencën e parë prej ardhjes së ti në pushtet nga Prilli i këtij viti.  Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkuar për injorimin dhe shmangien që Thaçi po ua bënë në vazhdimësi mediave dhe gazetarëve.

http://kallxo.com/gjnk/thaci-shmang-mediat-rekorde-facebook-u/