Me 322 mijë ndjekësit e tij dhe postimet e shumta, Presidenti është shndërruar në një 'celebritet' lokal të Facebook-ut | Foto: Facebook

Thaçi Shmang Mediat me Rekorde Facebook-u

Presidenti Thaçi është i pari në listën e presidentëve të rajonit që zakonisht e përdorin Facebook-un për publikime të natyrës shtetërore. Vetëm gjatë javës së kaluar, në periudhën kohore prej 22 deri me 29 shtator, Thaçi ka publikuar 6 publikime.

Homologu i tij nga Republika e Shqipërisë, Bujar Nishani për periudhën e njëjtë kohore ka publikuar vetëm dy. Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović në 7 ditët e fundit ka publikuar 6 publikime, ku 4 prej tyre kanë qenë njoftime prej vizitës së saj në SHBA.

Thaçi madje ia kalon bindshëm për publikime në Facebook edhe Kancelares gjermane, Angela Merkel, me rezultat 6 me 1. Merkel ka vetëm 1 publikim në periudhën 22-29 shtator.

As Barak Obama nuk është i paarritshëm, duke qenë se Presidenti i SHBA-ve ka vetëm 2 postime më shumë se Thaçi. Kjo do të thotë se nëse Presidenti i Kosovës do të kishte publikuar edhe 3 komunikime më shumë, ai do t’ia kishte kaluar edhe Obamës.

Gjatë betimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Presidenti Thaçi pati premtuar një komunikim të ngushtë me mediat e qytetarët.

“Jam i vetëdijshëm se të jesh President i Kosovës është nder dhe përgjegjësi e madhe politike, kombëtare dhe kushtetuese. Këtë detyrë zotohem se do ta kryej në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me juve”, tha Presidenti më 7 prill, kur u betua para deputetëve.

“Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me media, biznesin dhe iniciativat e lira”, vijoi Thaçi.

Por përveç se është një ‘celebritet’ i Facebook-ut me rreth 322 mijë ndjekës dhe postime në nivel dhe cilësi industriale, Presidenti nuk shkëlqen edhe në format e tjera të komunikimit.

Deri më sot, Presidenti Thaçi nuk ka thirrur asnjë konferencë për media.

Gazeta JNK ka rreth dy jave që ka dërguar pyetje në Presidencë për të marrë përgjigje pse Presidenti Thaçi nuk ka ftuar asnjëherë konferencë për media dhe pse e përdorë kaq shpesh Facebook-un. Pyetjet i kanë shkuar edhe dy këshilltarëve të Presidentit, Ardian Arifaj dhe Artan Behrami, të cilët paraprakisht ishin pajtuar të përgjigjeshin, mirëpo nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj Gazetës JNK.

Heshtja presidenciale

Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj thotë që zyra e Presidentit nuk kthen përgjigje për gazetarët. Në një prononcim për Gazetën JNK, ai e ka cilësuar institucionin e presidentit si të heshtur.

“Presidenca është shndërruar në një institucion të heshtur. Përveç që Presidenti Hashim Thaçi nuk është duke mbajtur raport komunikimi me medie, edhe zyra e Presidentit prej kohësh është jashtëzakonisht pasive në kthimin e përgjigjeve”, tha Hysenaj për Gazetën JNK

Ai theksoi se nga rëndësia që ka, ky institucion do të duhej që të organizonte konferenca për media në intervale të caktuara kohore.

E komunikimin që Presidenti Thaçi e ka bërë të përditshëm, atë përmes Facebook-ut, kreu i AGK-së e cilëson si shpërfillje ndaj gazetarëve.

“Forma e komunikimit vetëm përmes rrjeteve sociale është e papranueshme dhe njëkohësisht përbënë injorim te mediave dhe gazetarëve”, u shpreh ai.

Presidenti admiron prodhimin vendas në një prej fotove të tij optimiste në Facebook | Foto: Facebook
Presidenti admiron prodhimin vendas në një prej fotove të tij optimiste në Facebook | Foto: Facebook

Përdorimin e Facebook-ut për të komunikuar e sheh si problem edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili thotë që me këtë metodë komunikimi, Thaçi po i shmanget ballafaqimit direkt me gazetarët dhe pyetjeve të pakëndshme, duke qenë se bëhet fjalë për komunikim të njëanshëm.

“Thaçi po funksionon si një president virtual, i cili refuzon ballafaqimin me mediat dhe, rrjedhimisht me opinionin, sepse dëshiron ta plasojë të vërtetën e tij. Të vërtetën që nganjëherë as ai vetë nuk e beson”, tha Mushkolaj për Gazetën JNK.

Ai thotë se ka një sërë çështjesh të një rëndësie madhore për të cilat Presidenti do të duhej t’i drejtohej mediave dhe që nuk mundet t’i konsumojë vetëm përmes Facebook-ut.

“Thaçi duhet të ballafaqohet me gazetarët dhe opinionin jo vetëm për çështje si demarkacioni me Malin e Zi e Asociacioni… por duhet të japë përgjigje edhe për liberalizimin e vizave, zhvillimin ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dështimet në politikën e jashtme e Gjykatën Speciale. Nuk është e ndershme e as e përgjegjshme të fshihet pas statuseve në Facebook”, tha Mushkolaj.

Si Mushkolaj ashtu edhe Hysenaj e cilësojnë si veprim jo të duhur video mesazhin e Thaçit para rreth një muaji e gjysmë, ku Presidenti kishte realizuar një monolog për disa prej çështjeve të mësipërme.

“Nuk mjafton vetëm emetimi i ndonjë fjalimi të tij në televizor, sepse ato janë thjesht recitime boshe që nuk thonë gjë. Nëse nuk ka gjë për të fshehur, atëherë nuk ka asnjë arsye që ai të mos dalë para gazetarëve, madje të ketë takime të rregullta me ta”, shtoi Mushkolaj.

“Kosova ka kaluar nëpër disa momente të rëndësishme këto ditë dhe normalisht se Presidenti i vendit do të duhej të thërriste konferenca për media e jo të vepronte sikur në rastin e fundit kur qytetarëve dhe politikë bërësve në vend iu drejtua përmes një video mesazhi në televizionin publik”, tha kryetari i AGK-së.

Zekirija Shabani, gazetar dhe ish-kryetar i AGK-së, thotë se forma e njëanshme e komunikimit, përmes rrjeteve sociale në rastin konkret, është një metodë për të kufizuar ekspozimin dhe rrjedhimisht llogaridhënien e drejtuesve istitucionalë përballë publikut.

Por, ai thotë se Thaçi nuk përfaqëson të vetmin rast të një sjelljeje të tillë dhe se praktikë të ngjashme të komunikimit të njëanshëm, duke iu shmangur llogaridhënies, pati ndjekur edhe ish-Presidentja Jahjaga, megjithëse ai shton se ajo ka qenë më aktive në komunikime direkte me gazetarët.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tashmë ka instaluar të njëjtin sistem të komunikimit në presidencë, me atë që praktikonte sa ishte Kryeministër. E që për fat të keq është bërë model edhe për pasuesin e tij, Isa Mustafa, i cili komunikon njëanshëm, përmes llogarisë në Facebook, me medie dhe qytetarë”, tha ai.

Hashim Thaçi u zgjodh President i Republikës së Kosovës më 26 shkurt të këtij viti, me shumicë të thjeshtë votave, vetëm në raundin e tretë të votimit.