6 muaj dënim me kusht për posedim të thikës pa leje

I akuzuari për armëmbajte pa leje, Milot Potera është dënuar me 6 muaj dënim me burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Shqiptimi i dënimit për të akuzuarin erdhi pasi që i njëjti e pranoi veprën penale për të cilën akuzohej.

“E pranoj fajësinë. Më herët nuk kam pasur problem me askënd. Jam penduar për këtë vepër penale”, tha ai.

Me praimin e fajësisë u pajtua edhe prokurori i rastit, Ilaz Beqiri i cili gjyqtarit të rastit i propozoi që me rastin e matjes së dënimit të ketë parasysh faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë qysh në fazat e mëhershme të procedurës.

“Prokuroria pajtohet me një pranim të tilla pasi që ky pranim është në përputhshmeri të plotë me të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës prandaj i propozojmë gjykatës që me rastin e matjes së dëninit të merret parasysh fakti se i pandehuri edhe sot edhe në fazat e mëhershme të procedurës e ka pranuar fajësinë”, deklaroi prokurori.

Në mënyrë që dënimi me kusht të mos kthehet në dënim me burgim efektiv, i akuzuari është i detyruar që në përiudh prej një viti të mos kryej më asnjë vepër tjetër penale në të kundërtën do të i duhet të mbaj dënimin me burgim prej 6 muajve si dhe do të dënohet për veprën tjetër penale.

Po ashtu shpenzimet e procedurës penale në vlerë prej 50 euro do te i vihen në barrë të akuzuarit.

Sipas aktakuzës Milot Potera akuzohet për armëmbajtje pa leje për shkak se  më parë e ka siguruar dhe gjerë në muajin shtator të vitit 2016 ka mbajtur në posedim dhe kontroll armën e ftohtë në kundërshtim  me Ligjin për Armët në Republikën e Kosovës, për të cilin kërkohet leja dhe atë një thikë me ngjyrë të zezë me gjatësi tehi rreth 10cm, në atë mënyrë që ditën kritike në Podujevë, pasi ishte fjalosur me disa persona e kishte nxjerr thikën në vend publik për të i zbrapsur këta persona, e cila më pas i është konfiskuar nga ana e zyrtareve.