Foto: Ilustrim

Policia arreston një person në Deçan, voziste i armatosur e me masën e ndalimit të patentë shoferit

Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin M.K., për armëmbajtje pa leje në Deçan.

Sipas policisë, tek i dyshuari janë gjetur një pistoletë dhe një thikë.

“Njësia policore ka ndaluar të dyshuarin M/K për një kundërvajtje në trafik. Gjatë verifikimit, i njëjti ka rezultuar se ka masën e ndalimit të patentë shoferit”- ka thënë policia.

Gjatë tentimit për ta kontrolluar, sipas policisë, i dyshuari ka ikur me vrap nga vendi i ngjarjes.

“Zyrtarët policorë e kanë ndjekur të dyshuarin dhe gjatë ndjekjes kanë vërejtur se i dyshuari posedonte një armë në dorë të cilën e ka hedhur në lum”- ka thënë Policia.

Zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin dhe nga lumi kanë marrë një pistoletë me 5 fishekë dhe një thikë.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.