Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë/ Foto: Facebook

500 Bursa për Nxënës dhe Studentë të Komunitetit RAE

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me organizatat KFOS, Europian Education Fond dhe Voice of Roma ka ndarë bursa për nxënës dhe studentë të komunitetit rom, ashkali e egjiptian me qëllim të parandalimit të braktisjes së mësimit.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se përfshirja e komunitetit RAE në sistemin e edukimit është mundësia më e mirë për të qenë të barabartë me komunitetet e tjera në Kosovë.

“Përfshirja në sistemin e edukimit është mundësia më e mirë e realizimit të aspiratës suaj që nesër të jeni plotësisht të barabartë edhe në punësim edhe në shkollim, të barabartë të mbroni traditën tuaj, të mbroni komunitetin tuaj dhe të jeni të barabartë me komunitetet tjera, sidomos me atë shumicë, dhe të ndërtojmë një shoqëri me diversitet, ku diversiteti etnik është përparësi e vendit tonë dhe qasja jonë duhet të jetë qasje evropiane”, theksoi ministri.

Bajrami tha gjithashtu se Kosova është lidere sa i përket kujdesit ndaj pakicave dhe se ky model duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera të rajonit në mënyrë që këto komunitete të edukohen dhe shkollohen.

“Kosova është lidere në rajon sa i përket kujdesit ndaj pakicave sepse investimi te nxënësit dhe studentët në edukim është diçka që është jashtëzakonisht me rëndësi për integrimin e plotë të nxënësve në shoqërinë kosovare, për hapjen e perspektivës. Ne dëshirojmë që ky model që po ndjek Republika e Kosovës – diversiteti jonë, të jetë model rajonal që edhe shtetet e tjera të ndjekin këtë traditë që këto komunitete të kenë mbrojtje, të edukohen të shkollohen dhe nesër të jenë lider të së vërtetës.”- ka deklaruar Bajrami.

Ndërsa Libor Chald, përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se duhet të shfrytëzohen këto mundësi për të arritur suksese në karrierë dhe në jetën akademike.

“Dua të ju inkurajoj që të shfrytëzoni këto mundësi dhe të punoni shumë që të arrini suksese në karrierën tuaj profesionale dhe akademike në të ardhmen”, tha ai.

Kurse Argjend Galushi, përfaqësues nga Roma Education Found tha se komuniteti RAE është njëri ndër komunitetet që ka më së shumti nevojë për përkrahje të studentëve.

“Shpresoj që ne nuk do të ndalemi me këtë përkrahje të këtyre studentëve për arsye se besoj që janë njëri ndër komunitetet që kanë më së shumti nevojë për përkrahje dhe besojmë që së bashku do t’u ndihmojmë këtyre studentëve dhe do të korrim suksese në të ardhmen”, tha Galushi.

Redaktoi: Naser Sertolli