Arrestohen nëntë aktivistë të PSD-së - FOTO

Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar lirimin e nëntë aktivistëve të saj, të cilët u arrestuan gjatë një aksioni në Bibliotekën Kombëtare kundër ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci të enjten më 07.03.2024.

PSD e ka quajtur “intervenim të dhunshëm të policisë”, arrestimin e aktivistëve gjatë “aksionit simbolik.”

“Me këso nota në shkollë e përsëritë vitin, por ne urojmë që ministrja Nagavci të mos e përsëritë dështimin e saj as në këto muajt e mbetur të mandatit dhe aq më shumë kërkojmë që Qeveria mos të i’a shndërrojë në nota kaluese dështimet përmes intervenimeve të dhunshme të policisë në kumtime të qeta të suksesit të minsitrës, të formës së aktivizmit politik” – thuhet në reagim.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Teutë Rrusta, Nol Nushi, Gëzon Kastrati, Zgjim Hyseni, Natyra Kuçi, Behar Retkoceri, Lisjan Perolli, Eliot Hashimi, Frashër Krasniqi”.

PSD-ja ka thënë se ministrja Nagavci ka kontribuar në dështimin e sistemit arsimor, sipas tyre, që nga çerdhet e reja, furnizimi me libra shkollorë e deri te rezultatet në PISA.

“Nuk janë disa dështime. Është një dështim i tërë e në kurriz të sistemit arsimor.Rekomandimi është i qartë dhe ka urgjencë: Përjashtimi i menjëhershëm nga Qeveria” – thuhet në reagim.

PSD-ja mbajti aksionin në Manifestimin për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.