298 Raste Korruptive të Paraqitura më 2015

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) më 2015 janë paraqitur 50 raste të korrupsionit më shumë se në vitin paraprak.

Gjatë vitit 2015, AKK thotë se ka kryer hetimet paraprake për gjithsej 354 raste, prej të cilave 56 janë bartur nga viti 2014 dhe 298 janë pranuar gjatë 2015-ës.

Këto të dhëna janë bërë të ditura gjatë publikimit të raportit vjetor nga ky institucion.

Në vitin 2014 kjo Agjenci ka zhvilluar hetime paraprake në 304 raste, prej të cilave 56 ishin nga vitet e kaluara, e 248 të tjerat janë paraqitur gjatë vitit.

Sipas këtij raporti, AKK disa raste i ka përcjellë në organet e ndjekjes, në organet kompetente për procedurë disiplinore, disa janë mbyllur, e disa të tjera janë në procedurë.

“Gjatë vitit 2015, AKK ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 354 raste, prej të cilave 56 janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2015 janë pranuar edhe 298 raste. Prej tyre 126 janë përcjellë në Prokurori dhe Polici për procedim të mëtutjeshëm, 14 raste janë përcjellë në organet kompetente administrative me kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore, 132 janë mbyllur, ndërsa 82 raste janë në procedurë”, thuhet në raport.

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) është institucion i pavarur, i cili u themelua në vitin 2006 dhe punën e filloi nga shkurti i vitit 2007. Themelimi i kësaj Agjencie është bërë në bazë të Ligjit Kundër Korrupsionit (2004/34).

Në një takim të zhvilluar sot me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lavdëruar atë dhe institucionin që ai e drejton për punën “tepër të mirë, shumë profesionale”, një punë sipas tij shembull edhe për institucionet e tjera.

http://kallxo.com/presidenti-pret-lajme-pozitive-nga-brukseli/