Foto: RTV 21

Prishtina Nis një Tjetër Ditë me Ajër të Ndotur

Matja e fundit e kryer sot nga Qendra për Matjen e Cilësisë së Ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë tregon se vlera e ndotjes në kryeqytet është 191 dhe konsiderohet si shumë e pashëndetshme.

Ndryshe, dje zyrtarë komunalë dhe të Ministrisë së Ambientit kanë paralajmëruar ndërmarrjen e disa hapave në përpjekje për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se kanë marrë një subvencion nga Ministria e Ambientit për t’iu ofruar parking dhe transport qytetarëve që vijnë në Prishtinë, në mënyrë që të parandalojnë futjen e makinave në qytet.

Kjo masë që merret për të ulur ndotjen e ajrit në kryeqytet, sipas Pacollit do të fillojë të aplikohet nga dita e mërkurë, përkatësisht në orën 6:00 të mëngjesit.

Ndërsa është apeluar te të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës që të mos përdorin thëngjillin si lëndë djegëse dhe lëndët e tjera të cilat e ngrenë nivelin e ndotjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka shpjeguar se ndalimi i qarkullimit të veturave duhet të bëhet mbi bazë ligjore, përfshirë shpalljen e një gjendjeje emergjente.