Përplasje në Asamble për qengjat dhe qebapët e ngrënë nga qeverisjet e Prizrenit

Një përplasje verbale mes një asamblisti të AAK-së dhe një tjetri nga radhët e LDK-së ka ndodhur në mbledhjen e 3-të të Asamblesë Komunale të Prizrenit.

Kur po diskutohej për rishqyrtimin e raportit financiar për realizimin e buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2018, asamblisti nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj, kritikoi qeverisjen e Mytaher Haskukës se, sipas tij, nuk po i planifikon mirë shpenzimet e Komunës dhe nuk po i realizon projektet e premtuara.

Por, Baldedaj tha se ajo që e shqetëson janë shpenzimet për dreka zyrtare në shumën prej 38 mijë eurove.

“Për që dini me hangër kaq shumë nuk e kemi ditur,  e prej se ia keni nisë me hangër mish kingji ju kanë ba dreka zyrtare 38 mijë eurosh”, tha Baldedaj.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar menjëherë asamblisti Haziz Hodaj, nga radhët e LDK-së, parti që është në pushtet bashkë me Vetëvendosjen dhe Nismën Socialdemokrate.

“Ju i keni hangër 90 mijë për 1 vit”, i tha Hodaj asamblistit të AAK-së, duke aluduar në shpenzimet e qeverisjes së kaluar, ku Iliri Baldedaj ka qenë drejtor.

E kryesuesi i Asamblesë nga radhët e Vetëvendosjes, Artan Abrashi, me buzëqeshje e i qetë po e përcillte debatin e tyre por shkurt ndërhyri duke thënë: “Zotëri Hodaj, gabim e ke, 110 mijë euro shpenzime për dreka e darka zyrtare për 1 vit”.

Por Ilir Baldedaj nuk u pajtua me asnjërin duke i kundërshtuar ashpër e duke ngritur zërin.

“Ato mjete janë shpenzuar nga ish – kryeministri e tash presidenti Thaçi, nëpër dreka e darka tu ju shtru darka arsimtarëve e mjekëve, e ja ka faturu Komunës”, tha ai.

Asamblisti Hodaj tha se ato janë paguar nga kurrizi i qytetarëve të Prizrenit pavarësisht se kush i ka shtruar ato darka e dreka. “Çka po më intereson mua, ju i keni paguar ato shpenzime”, shtoi ai.

E Ilir Baldedaj vazhdoi duke iu drejtuar asamblistit Hodaj: “Llogaritni për 38 mijë euro sa kingja po ju dalin!”.

“Llogaritni ju për 90  mijë euro për 9 muaj se sa qebapë po ju dalin”, ia ktheu Haziz Hodaj.

Për shpenzimet për dreka e darka nga qeverisja e Mytaher Haskukës ka raportuar edhe KALLXO.com.

Sa mish hëngrën gjatë një nate Komunarët e Prizrenit

Pas publikimit të këtyre shpenzimeve, ka reaguar Komuna e Prizrenit.