Arkiv

Akuza për moskthimin e laptopëve, ish-drejtori Baldedaj shpallet i pafajshëm

Gjykata e Prizrenit, përmes një vendimi të martën, ka shpallur ish-drejtorin e administratës, Ilir Baldedaj, të pafajshëm nga akuza për moskthimin e laptopëve.

Baldedaj ishte përfshirë në një proces gjyqësor për çështjen e moskthimit të laptopëve nga ana e asamblistëve komunalë në atë kohë.

Zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj, konfirmoi lajmin për KALLXO.com dhe tha se gjykata ka bazuar vendimin e saj në faktin se nuk u provua se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

“Gjykata ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit Ilir Baldedaj për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 422 të KP-së, duke u bazuar në nenin 363 par. 1 nën par 1.3 të KPP-së, pasi që nuk është provuar se i akuzuari  ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej (sipas arsyetimit të trupit gjykues të thënë ditën e shpalljes së vendimit)”- ka thënë Lekaj.

Pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndaj Baldedajt, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë proces, ai akuzohej se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Tutje, sipas aktakuzës, në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuronte kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopë të tjerë nuk pati prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Në janar 2021, gjykata dënoi ish-drejtorin komunal Ilir Baldedaj me burgim efektiv për 10 muaj, por ky vendim u anulua nga Apeli më 1 maj 2021 dhe u kthye në rigjykim.

Pasi rasti u rishqyrtua, në vitin 2022, Baldedaj u dënua përsëri me burgim efektiv për 10 muaj dhe dënim plotësues – ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administratë ose shërbime publike për një afat prej 2 vitesh.

Megjithatë, pas ankesës së mbrojtësit, rasti ishte kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.