Gjykimi i Ilir Baldedajt - Foto: KALLXO.com

Moskthimi i laptopëve, nënkryetari i Komunës së Prizrenit dëshmon në gjykimin e ish-drejtorit Ilir Baldedaj

Kujtim Gashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit, ka dëshmuar sot në gjykimin e Ilir Baldedajt, ish-drejtor i Administratës së Komunës, i cili po gjykohet për moskthimin e laptopëve me të cilët ishin pajisur asamblistët e Prizrenit.

Gashi tregoi se kishte parashtruar kërkesë për t’u pajisur me laptop te kryetari i asaj kohe, Ramadan Muja.

Ai tregoi se janë pranuar 43 laptopë, prej të cilëve 41 u janë shpërndarë anëtarëve të Kuvendit, ndërkaq dy kanë qenë për shërbim profesional.

“Janë pranuar 43 laptopë, prej të cilëve 41 për asamblistët dhe dy kanë qenë për administratën që për këtë rast ka mundur t’i përdorë shërbimi profesional i Kuvendit, ku bëjnë pjesë juristët, përkthyesit, procesmbajtësit dhe lektorët. Me këta dy laptopë nuk ka qenë i ngarkuar konkretisht dikush por ata janë përdorur sipas nevojës” – tha Kujtim Gashi.

Dëshmitari Gashi ka sqaruar se pas emërimit si ministër në Qeverinë e Kosovës, ai e ka kthyer laptopin.

Në lidhje me procedurën e sigurimit të laptopëve, Kujtim Gashi ka thënë se Ilir Baldedaj është marrë vetëm me sigurimin e mjeteve të planifikuara në kuadër të Drejtorisë së Administratës.

Dëshmitari Gashi ka mohuar se Ilir Baldedaj ka pasur obligim ligjor shpërndarjen e laptopëve.

“Nuk mendoj se ka pasur obligim, sepse drejtori nuk e bën shpërndarjen se laptopëve, pasi këtë e bën komisioni i veçantë”-ka thënë ai.

Sipas Kujtim Gashit, Ilir Baldedaj nuk e ka pasur për obligim të përpilojë as vërtetime mbi pranimin e laptopëve nga asamblistët.

“Nuk ka pasur obligim, pasi që çdo anëtar i Kuvendit duhet ta dorëzojë laptopin apo çfarëdo pajisje të Kuvendit pasi ta përfundojë mandatin ose marrëdhënien e punës” – tha Gashi.

Paraprakisht në seancë u dëgjuan dëshmitarët Arben Krasniqi dhe Bashkim Rakaj.

Dëshmitari Krasniqi ka deklaruar se pas përfundimit të mandatit, asamblistët nuk i kanë dorëzuar laptopët.

Krasniqi tha se ka bërë kallëzim penal në bazë të shkresave dhe evidencës së pranim-dorëzimit, ku kanë munguar 3 laptopë.

Ndërkaq, dëshmitari Bashkim Rakaj, gjatë dëshmisë së tij theksoi se laptopët e shpërndarë nuk kanë qenë vetëm për anëtarët e Kuvendit.

“Sa mbaj mend, laptopët kanë qenë për anëtarët e Kuvendit dhe për disa zyre të Kuvendit për të kryer punë administrative” – tha ai.

Për shkak të përfundimit të orarit seanca e sotme u ndërpre.

Shqyrtimi i radhës u caktua për më 14 mars 2023.

Ndaj Baldedajt, pas një hulumtimi të KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë proces, Baldedaj akuzohet se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Tutje, sipas aktakuzës, në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuronte kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopë të tjerë nuk pati prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Për këto akuza, ish-drejtori komunal Ilir Baldedaj më 15 janar 2021 ishte dënuar me burgim efektiv prej 10 muajsh.

Mirëpo, Apeli më 1 maj 2021 ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të njëjtin e ka kthyer në rigjykim.

Edhe pas kthimit të çështjes në rigjykim Baldedaj në vitin 2022 ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv si dhe dënim plotësues – ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administrate ose shërbime publike në afat prej 2 vitesh.

Por pas ankesës së mbrojtësit, rasti është kthyer në pikën zero.