
Ish-anëtari i AAK-së aderon në LDK: Rikthimi im në politikën aktive të qytetit fillon nga sot
Ish-anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, Ilir Baldedaj, ka njoftuar se tashmë rrugëtimin e tij politik tashmë do ta vazhdojë në një parti tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Baldedaj ka akuzuar PDK-në, parti e cila udhëheq Prizrenin, duke thënë se duhet të luftohen me të gjitha mjetet demokratike politike.
“Në një kohë shumë kritike për Prizrenin, qytetin të cilin e udhëheq njeriu dhe partia që tashmë janë dëshmuar për keq qeverisje dhe abuzim me pushtetin, është e vështirë të qëndrosh si spektator. Këta abuzues duhet të luftohen me të gjitha mjetet demokratike politike, që Prizreni t’i kthehet qytetarëve”- ka thënë Baldedaj.
Ai shprehet se rikthimi i tij në politikën aktive të qytetit fillon në kuadër të LDK-së teksa shton se votat e votuesve të këtij subjekti do të jenë një garanci për kryetarin e degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanajn.
“Për këto dhe shumë arsye tjera, nga sot kontributi im politik do të jetë i madh dhe i vazhdueshëm duke përqafuar RRUGËN E RE për Kosovën e për Prizrenin. Pa LDK-në nuk ringjallet Prizreni, pa LDK-në nuk zhvillohet Prizreni, pa LDK-në Prizreni nuk i kthehet prizrenasve”- deklaron Baldedaj.
“Rikthimi im në politikën aktive të qytetit fillon nga sot në kuadër të LDK-së, me besimin më të madh që votat e quara dëm në vitin 2017 dhe 2021, në zgjedhjet e ardhshme të shkojnë aty ku duhet. Votat e votuesve për LDK -në në Has dhe kudo në Prizren do të jenë një garanci për kryetarin e ardhshëm të qytetit, i cili do të jetë Driton Selmanaj, Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren”- shton ai.
Mes tjerash, Baldedaj shprehet se “pavarësisht përpjekjeve për të më goditur në mënyra të ndryshme që të më eliminojnë politikisht, drejtësia vendore ka dëshmuar se jam i pastër sikur loti.”
“Pavarësisht përpjekjeve për të më goditur në mënyra të ndryshme që të më eliminojnë politikisht, drejtësia vendore ka dëshmuar se jam i pastër sikur loti. Dhe, si i tillë nga sot i bashkohem LDK-së për ti mposhtur politikisht të gjithë ata që i kanë bërë dëm Prizrenit, për ta rikthyer LDK-në në qeverisjen e qytetit” thekson Baldedaj.
Ish-drejtori komunal i Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, ishte ballafaquar me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Baldedaj në maj të këtij viti ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Prizrenit, nga akuza për moskthimin e laptopëve.
Baldedaj ishte përfshirë në një proces gjyqësor për çështjen e moskthimit të laptopëve nga ana e asamblistëve komunalë në atë kohë.
Në këtë proces, ai akuzohej se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.
Akuza për moskthimin e laptopëve, ish-drejtori Baldedaj shpallet i pafajshëm