Foto: KALLXO.com
Për shkaqe shëndetësore mungon prokurorja, shtyhet gjykimi ndaj Ilir Baldedajt
Për shkak të mungesës së prokurores së çështjes, Ervehe Gashi, është shtyrë seanca ku sot është paraparë të jepej mbrojtja dhe fjala përfundimtare në rastin ku Ilir Baldedaj po akuzohet për keqpërdorim të detyrës.
Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, po gjykohet se në mënyrë të kundërligjshme ka shpallur tenderë për dy projekte në Komunën e Prizrenit por më pas ato nuk i ka funksionalizuar.
Prokuroria pretendon se shuma e përgjithshme e dëmit që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit është 100,898.98 euro.
Të hënën, prokurori Genc Nixha ka bërë të ditur se prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi, për arsye shëndetësore nuk mund të prezantonte në gjykim.
Në mungesë të Gashit, prokurori kërkoi që seanca të mos mbahet.
“Për hir të korrektësisë kam ardhur unë, mirëpo nuk jam në gjendje ta përfaqësoj lëndën pasi sot është paraparë të jepet mbrojtja dhe fjala përfundimtare”, tha Nixha.
Këtë propozim nuk e ka kundërshtuar Engjell Rexhepi, mbrojtës i të akuzuarit.
Pas kësaj, Gjykata mori vendim që seanca e sotme të mos mbahet. Ajo e radhës u caktua për më 9 shtator 2022.
Ilir Baldedaj sipas aktakuzës së datës 29 dhjetor 2020, akuzohet se duke vepruar në cilësi të drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, në kundërshtim me ligjin paraqet kërkesë për shpallje të dy tenderëve të cilët më pas nuk i ka realizuar.
Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2016, Baldedaj duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.
Ndonëse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, projekti më pas nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë eurove.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i njëjti gjatë vitit 2017, si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në shumën 72,898.98 euro.
Prokuroria pretendon se shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit kap vlerën 100,898.98 euro.
Kjo nuk është hera e parë që ish-drejtori i Administratës dhe asamblisti i AAK-së, Ilir Baldedaj, po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.
Më 10 shtator të vitit 2021, asamblisti i AAK-së është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë. https://kallxo.com/lajm/gjykata-e-denon-perseri-asamblistin-e-aak-se-kesaj-radhe-per-mosdeklarim-te-pasurise/
Ndaj tij në të kaluarën gjithashtu rëndonin edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ilir Baldedaj ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale dhe për këto akuzua me 25 maj 2018 ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.
Po ashtu, pas një hulumtimi të KALLXO.com më 22 gusht 2019, Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt nën akuzat rreth moskthimit të laptopëve të Komunës, në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.
Për këto pretendime, më 1 janar 2021, ai u dënua me burgim efektiv prej 10 muajve si dhe dënim plotësues gjykata i shqiptoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose në shërbimin publik në afat prej 3 viteve.
Mirëpo, Apeli në prill të vitit 2021 lëndën e ka kthyer në rigjykim ku edhe është duke u zhvilluar procesi gjyqësor.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ilir Baldedaj mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.