Foto: KALLXO.com

Gjykimi për moskthimin e laptopëve, aprovohet propozimi i Prokurorisë për dëgjimin e dëshmitarit

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për dëgjimin e dëshmitarit në rastin e ish-drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj.

Në këtë proces gjyqësor, Baldedaj është akuzuar për moskthimin e 43 laptopëve të Komunës. Nga kjo sasi, 40 u ishin dhënë asamblistëve të Asamblesë së Prizrenit gjatë qeverisjes së njohur si qeverisja Muja 2.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopët nuk kishte prova se ata u ishin shpërndarë personave për të cilët ishin të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, të martën aprovoi propozimin e prokurores Ervehe Gashi që të  tohet dëshmitari Adnan Kurejshi.

Këtë propozim e konsideroi si të panevojshëm Engjëll Rexhepi, avokat i Baldedajt. Rexhepi arsyetoi se çështja është kthyer dy herë në rigjykim dhe dëgjimi i dëshmitarit të propozuar është bërë tre herë për të njëjtën çështje.

“Për shkak se po bëhen pesë vite me të cilin i akuzuari ballafaqohet me këtë procedurë, kërkojmë nga Gjykata që të mos e lejojë zvarritjen e mëtutjeshme të këtij gjykimi dhe t’i refuzojë propozimet e prokurores”- tha mes tjerash Rexhepi.

Paraprakisht në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij menaxheri i njësisë së burimeve njerëzore, Isë Gashi.

Gashi para trupit gjykues ka rrëfyer  se në vitin 2015 ka pranuar një laptop të tipit “Lenovo”.  Ai së bashku me Zeqir Xhaferin, laptopin e ka marrë nga Adnan Kurejshi.

“Kam shkuar së bashku me Zeqirin tek Adnan Kurejshi dhe e kam marrë laptopin”- ka thënë Gashi.

I njëjti ka deklaruar se këtë laptop  e posedon ende. Ndërkaq, ai mohoi se në lidhje me këtë laptop kishte kontaktuar me Ilir Baldedajn apo të ketë nënshkruar ndonjë dokument.

Gjykimi më tej ka vijuar me leximin e shkresave të lëndës.

Për shkak të përfundimit të orarit seanca e sotme u ndërpre. Shqyrtimi i radhës u caktua për më 13 prill 2023.

Ndaj Baldedajt, pas një hulumtimi të KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë proces, Baldedaj akuzohet se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Tutje, sipas aktakuzës, në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuronte kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopë të tjerë nuk pati prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Për akuza të tilla, ish-drejtori komunal Ilir Baldedaj u dënua me burgim efektiv prej 10 muajsh nga gjykatësi Xheladin Osmani më 15 janar 2021.

Mirëpo, Apeli e anuloi këtë vendim të shkallës së parë më 1 maj 2021 dhe e ktheu në rigjykim.

Edhe pas rishqyrtimit të rastit, në vitin 2022 Baldedaj u dënua përsëri me 10 muaj burgim efektiv dhe dënim plotësues – ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administratë ose shërbime publike për një afat prej 2 vitesh.

Megjithatë, pas ankesës së mbrojtësit, rasti është kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.