Foto: PK.

Operacioni 'Guri', arrestohen 6 të dyshuar dhe sekuestrohen mbi 12 kilogramë marihuanë

Gjashtë persona janë arrestuar dhe 12 kilogramë marihuanë, 3 467 euro e 12. 700 lekë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë një kontrolli të bërë sot në 11 lokacione në Prishtinë, pjesë e operacionit “Guri” të Policisë.

Policia ka bërë të ditur se operacioni i sotëm ku u gjetën, drogë e para dhe u arrestuan 6 persona u zhvilluar në kuadër të operacionit “Guri”, të ndërmarrë më herët gjatë këtij viti (30 mars; 5 prill e 4 maj), gjatë të cilit ishin gjetur e konfiskuar rreth 36 kg marihuanë dhe ishin arrestuar tre të dyshuar.

“Sot, më 12.05.2023, në vazhdën e zhvillimit të operacionit policor ‘Guri’, i zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë (prokurorinë), janë kontrolluar 11 lokacione, ku si provë materiale janë gjetur dhe konfiskuar rreth 12 kg substancë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), 3467 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet janë përfituara nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bërë të ditur se njërit të dyshuarve gjatë tentimit për t’ i ikur arrestimit, ka kërcyer nga një lartësi duke marrë lëndime. I dyshuari, sipas policisë është dërguar për tretman mjekësor.

Po sipas policisë, në  tri operacionet e më hershme dhe operacionin e ditës së sotme janë konfiskuar rreth 48 kg substancë, dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Vlera e kësaj droge, sipas policisë llogariti të jetë  rreth 70 mijë euro, ndërsa janë arrestuar nëntë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë vepruar si grup kriminal që është marrë me ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Të premten pasdite, kryeprokurori, Kujtim Munishi konfirmoi për KALLXO.com se gjatë këtij aksioni janë zhvilluar disa bastisje, ndërsa njëri prej të dyshuarve është me inicialet B.P.