Foto: Kallxo.com

Pal Lekajt e Gani Ramës u bashkohen lëndët në gjykatë

Në gjykimin e ish-zyrtarit të komunës së Gjakovës, Gani Rama i cili po gjykohet për 218 mijë euro, të premten prokurori Atdhe Demaj erdhi me propozime të reja.

Ai i propozoi gjykatës që rasti i Gani Ramës të bashkohet me rastin e ish-kryetarit të Gjakovës, tash ministër i Infrastrukturës, Pal Lekajt dhe dy të tjerëve, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga.

“Pasi që ky rast është i ndërlidhur me rastin e Pal Lekaj, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga dhe në këtë çështje në fillim janë zhvilluar hetime kundër Gani Ramës, provat këtu janë të njëjta, kemi ekspertizën e ekspertit Gani Gashi në të cilën ekspertizë ka dhënë mendimin që zyrtari kryesor administrativ është përgjegjës kryesor për menaxhimin e buxhetit, e poashtu edhe nga ekspertiza e siguruar nga Prokuroria Speciale eksperti Qazim Hoxha, i cili në ndërkohë ka vdekur dhe se këto ekspertiza tashmë janë siguruar, andaj i propozoj gjykatës që lënda e Gani Ramës të bashkohet me lëndën e Pal Lekajt”, deklaroi prokurori Demaj.

Kanë kaluar gati 4 muaj nga mbajtja e seancës ku Pal Lekaj e Ismet Isufi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve në komunën e Gjakovës në kohën kur Lekaj ishte kryetar i saj, ndërsa Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi, e cila seancë është në shqyrtimin kryesor, në pritje të caktimit të sigurimit të raportit dhe mendimit të ekspertit financiar.

Caktohet dita e gjykimit të Pal Lekajt

Në seancën e të premtes një propozim të tillë nuk kishte arsye ta kundërshtonte as mbrojtësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrec Dodaj.

Ndërsa trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Shaqir Zika, bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, aprovuan propozimin e prokurorit për bashkimin e dy lëndëve, me arsyetimin se provat janë të përbashkëta.

Seanca u shty për një kohë të pacaktuar.

Seanca e kaluar ndaj Gani Ramës i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kishte dështuar të mbahej për shkak se mbrojtësi i tij, avokati Ndrec Dodaj kishte njoftuar gjykatën se ishte i zënë në një seancë të vrasjes së rëndë në Pejë.

Ish-zyrtari komunës së Gjakovës po gjykohet për 218 mijë euro

Bëhet e ditur që ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, pasi që gjykata e Gjakovës, Gani Ramën e kishte liruar nga akuza e Prokurorisë, për shkak se nuk ishte vërtetuar se i akuzuari kishte kryer vepër penale.

Lirohet nga Akuza Gani Rama, Zyrtar i Komunës së Gjakovës

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Aktakuzën ndaj Ramës e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramen se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat

Në aktakuzë thuhet se shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro.