Ministri i Infrastrukturës, pal Lekaj, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Caktohet dita e gjykimit të Pal Lekajt

Pasi që Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave ndaj të pandehurve Pal Lekaj, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga, gjykata e Gjakovës ka caktuar 24 prillin si ditë të seancës për këtë rast.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari i rastit Shaqir Zika.

Muajin e kaluar, Gjykata e Apelit ka bërë e ditur se mbetet e ka lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Gjakovës si dhe aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila të akuzuarit Pal Lekaj dhe Ismet Isufit si bashkëkryes i ngarkon për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa Veli Hajdaraga, në këtë rast, akuzohet për mashtrim me subvencione.

Prokuroria dysho9n se këto vepra janë kryer në kohën kur Lekaj, tash ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit në qeverinë e Ramush Haradinajt, ka qenë kryetar i komunës së Gjakovës nga AAK.

Gjykata e Apelit, sikurse edhe Gjykata e shkallës së parë, kishin konsideruar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hedhjen e aktakuzës dhe se provat që i janë bashkangjitur asaj nga ana e Prokurorisë janë të  pranueshme.

Në anën tjetër, e njëjta gjykatë, ajo e Gjakovës, kishte hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve të tjerë Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaçi, për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi relativ i veprës penale.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, sipas aktakuzës dyshohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm, për akuzat që ju ngarkohen.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.

https://kallxo.com/caktohet-data-e-gjykimit-te-pal-lekajt/