Lirohet nga Akuza Gani Rama, Zyrtar i Komunës së Gjakovës

Ai akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar por Gjykata e liroi meqë vërtetoi se nuk janë vërtetuar akuzat ndaj tij.

“Pas mbajtjes së seancave të shqyrtimeve gjyqësore, provave të propozuara në aktakuzë, provave të propozuara nga ana e mbrojtjes, trupi gjykues me shumicë votash ka marrë aktgjykim lirues ngase nuk është provuar se i akuzuari ka kryer vepër penale për të cilën akuzohej”, tha kryetari i trupit gjykues, Shaqir Zika.

Aktakuzën ndaj Ramës e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës.

Kjo prokurori akuzon Ramën se “e kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “UNION-VL” për shpërndarjen e subvencioneve”.

Në aktakuzë thuhet se Rama këto mjete i kishte lejuar “pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat financiare”.

Aktakuza precizon edhe shumën që prokuroria pretendon se keqpërdori Rama.

“Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro,” thuhej në aktakuzë.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-zyrtarit-financiar-te-gjakoves/

http://kallxo.com/jepet-fjala-perfundimtare-ne-gjyqin-ndaj-zyrtarit-te-gjakoves/

http://kallxo.com/avokati-turpshem-gjykimi-zyrtarit-te-gjakoves/