Objekti i Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës

Aktakuzën ndaj Ramës e ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës.

Kjo prokurori akuzon Ramën se “e kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve monetare lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “UNION-VL” për shpërndarjen e subvencioneve”.

Në aktakuzë thuhet se Rama këto mjete i kishte lejuar “pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat financiare”.

Aktakuza precizon edhe shumën që prokuroria pretendon se keqpërdori Rama.

“Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro,” thuhet në aktakuzë.

Rama tha për KALLXO.com se e ka pranuar aktakuzën, ndërsa deklaroi se është i habitur nga ngritja e saj.

“Sot e kamë marrë aktakuzën dhe kjo që pretendohet në aktakuzë nuk qëndron. Unë si zyrtar kryesor financiar nuk zhvilloj procedura. Madje jam I habitur nga kjo akuzë që më është ba,” tha Rama.

Zyrtari kryesor financiar i Komunës së Gjakovës deklaroi se asnjëherë nuk është intervistuar nga prokurori.

“Unë asnjëherë nuk jam intervistuar nga prokurori që e ka ngrit akuzën, madje as nuk e njof me pa. Pafajësia ime padyshim që do të vërtetohet në Gjykatë,” tha  Rama.