Nënë e bijë dalin para gjyqit, mohojnë se në bashkëkryerje kanë kryer vrasjen

 

Për vrasjen e Sefer Berishës, po akuzohen nënë e bijë, Nafije Rrafshi dhe Behare Nura.

Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj në vitin 2020.

Fillimisht, prokurori i rastit Ali Uka, i propozoi gjykatës që të bëhet bashkimi i këtyre dy lëndëve, me arsyetimin se dy të akuzuarat po akuzohen për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.

Pasi që, gjykata aprovoi bashkimin e lëndëve, u lexua aktakuza dhe të akuzuarat u deklaruan të pafajshme.

“Këtu asgjë nuk ka në bashkëkryerje, këtu jemi vetëm unë dhe viktima e askush tjetër, ngase këtë vepër e kam kryer unë vet vrasjen edhe pse pa dashje, por jo në bashkëkryerje, por viktima më ka detyruar për vetëmbrojtje si dhe e pranoj veprën penale të armëmbajtjes pa leje”, deklaroi e akuzuara Nafije Rrafshi.

Ndërsa, e akuzuara Behare Nura deklaroi se është plotësisht e pafajshme.

“Është e vërtetë që unë kam qenë me nënën, por kjo e ka kryer veprën unë as nuk kam pasur armë vetëm kam qenë dëshmitare”, deklaroi e akuzuara Behare Nura.

Ndërkaq, gjykata shtyu gjykimin për datat 6 dhe 12 prill, me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarave të caktuar sipas detyrës zyrtare, për shkak se të njëjtit nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës nga Prokuroria.

Në fund të vitit të kaluar, Behare Nura ishte deklaruar e pafajshme.

Behare Nura gjendet në paraburgim prej datës 26 dhjetor 2019.

Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Prokuroria e shpjegonte rastin e vrasjes së 57 vjeçarit:

“Me të vërejtur veturën e të ndjerit, Nafije Rrafshi bashke me Behare Nura i afroheni afrohen veturës së tani të ndjerit, të cilën veturë e kishte lënë në afërsi të një pylli dhe njëra nga të akuzuarat gjuan në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet sipas Prokurorisë.

Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.

Kallxo.com ka raportuar kur të njëjtit janë arrestuar dhe më pas kanë dalë para gjyqit.

Akuza ndaj Nafije Rrafshi, e cila tashmë po gjykohet:

Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 Gushtit 2018, ishte arrestuar një mashkull.

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018.

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytje e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes- thuhet në aktakuzë.