Gjykimi ndaj Nafije Rrafshit, e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës

Vrasja e Sefer Berishës: Arrestohen edhe dy persona

Për vrasjen e Sefer Berishës në Lladrovc të Malishevës, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

Deri më tani për këtë rast është e akuzuar Nafije Rrafshi. Sipas policisë, viktima në këtë rast ishte vrarë me armë zjarri në automjetin e tij më 4 gusht 2018.

Prokurori i çështjes Ali Uka, konfirmoi se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar për këtë vrasje.

“Janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, ata nuk janë familjarë të viktimës por është vajza dhe dhëndri i të akuzuarës Nafije Rrafshi”- tha prokurori Ali Uka.

Kujtojmë se në seancën e fundit, gjatë shqyrtimit kryesor prokurori ka kërkuar kohë për nxjerrjen e provave të reja të rastit të mistershëm.

Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 Gushtit 2018, ishte arrestuar një burrë.

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.