Del para gjykatës e akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës

Behare Nura e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe armëmbajtje pa leje, bashkë me Granit Alushani i akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje, dolën sot para Gjykatës së Gjakovës për tu përballur me akuzat e Prokurorisë.

Për këtë vrasje, në proces gjyqësor duke u gjykuar për vrasje është edhe Nafije Rrafshi, nëna e Behare Nures.

E akuzuara Nura u deklarua e pafajshme, ndërsa Alushani pranoi akuzën e Prokurorisë.

“Nuk e kam ditur që është vepër penale, ngase armën tek unë e ka sjellë Nafije Rrafshi, nëna e të fejuares sime Adelina dhe shprehi keqardhje”- deklaroi Granit Alushani.

Ndërsa, i dëmtuari Mehmet Berisha, djali i tani të ndjerit Sefer Berisha, i tha gjykatës që kjo çështje është politike sepse Beharja, Graniti dhe Nafije Rrafshi  janë të involvuar në këtë rast.

Sipas aktakuzës vrasja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Prokuroria në aktakuzë e shpjegon rastin e vrasjes së 57 vjeçarit:

“Përderisa në veturë ishte tashmë e akuzuara Nafije Rrafshi bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, për një moment Nafija e ndal veturën, dhe bashkë me dy të pandehurit tjerë Granit Alushani dhe Behare Nura,  i afrohen veturës së tani të ndjerit, ku njëri prej të pandehurve gjuan nga jashtë automjetit në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”- thuhej në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.

Behare Nura gjendet në paraburgim prej datës 26 dhjetor 2019.

Gjykatësi i rastit Shaqir Zika, iu dha 30 ditë kohë palëve për kundërshtimin e aktakuzës.

Në muajin dhjetor të vitit 2019, pas kërkesës së Prokurorisë, gjykata e Gjakovës kishte vendosur një muaj paraburgim të dyshuarve Granit Alushani dhe Behare Nura, në rastin e vrasjes së Sefer Berishës.

E dyshuara Nafije, ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018.

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishes dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.