Lejoi ndërtimin në rrjedhën e ‘Lumbardhit’, ish-inspektori shpallet fajtor nga Gjykata - VIDEO

Ish-inspektori i Hidro-Ekonomisë, Avdulla Gashi, të enjten është dënuar nën akuzën se lejoi ndërtimin e një objekti në rrjedhën e ‘Lumbardhit’ në Prizren.

Gashit fillimisht iu shqiptuan 6 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës. Ndërkaq, ky dënim me pëlqimin e tij iu zëvendësua me 2 mijë euro gjobë.

I akuzuari është obliguar që dënimin me gjobë ta paguaj 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Avdulla Gashi akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Sipas Prokurorisë më 3 tetor 2017, Gashi derisa po inspektonte objektin e ndërtimit të investitorit Hashim Kryeziu, pa fakte konstaton në procesverbal se janë respektuar pikat e kadastrit.

Në këtë mënyrë Prokuroria pretendon se investitorit i ka mundësuar të bëjë ndërtimin e objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 84 m2, të pasurisë shoqërore duke lejuar që objekti të ndërtohet pa u respektuar largësia e përcaktuar me ligj nga brigjet e lumit.

Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këto akuza, Gashi në dhjetor të vitit 2021 është dënuar me 2 mijë euro gjobë por Gjykata Supreme e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Supremja ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke tejkaluar aktakuzën me të cilën i kishte shtuar edhe një vepër tjetër penale.

Pos kësaj, Supremja ka konstatuar se prokuroria nuk e ka bërë precizimin e aktakuzës e as zgjerimin e saj.