Foto: Kallxo.com
Ish-asamblisti i PDK-së në Gjakovë pranon fajin për mosdeklarim të pasurisë
Në procesin gjyqësor ndaj Ilir Beqirit, i cili po ngarkohet me akuzën e mos raportimit ose raportimit të rrejshëm të pasurisë në kohën kur kishte qenë asambleist i PDK-së, sot ishte planifikuar të mbahej shqyrtimi gjyqësor.
Mirëpo në seancën e sotme, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, para gjyqtarit Drilon Haraçia, i akuzuari Ilir Beqiri e pranoi fajësinë.
Ai tha se në këtë rast është bërë një lëshim nga pakujdesia dhe neglizhenca.
“Kam menduar se te deklarimi i pasurisë duhet të paraqiten vetëm të hyrat publike dhe jo ato private, e gjithashtu nuk kam pasur ndonjë qëllim tjetër”, deklaroi ish-asamblisti Ilir Beqiri.
Verdikti përfundimtar në këtë rast do të jepet nesër.
Në këtë rast kanë kaluar 16 muaj nga mbajtja e seancës së fundit, e cila ishte mbajtur me datë 2 prill 2019.
Kjo gjë kishte ndodhur për shkak se fillimisht këtë rast e ka gjykuar gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili nga Departamenti i Përgjithshëm ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda, pastaj kishte filluar pandemia Covid-19 ku ishte ndërprerë mbajtja e seancave gjyqësore, ndërsa tashmë rasti ka kaluar te gjykatësi Drilon Haraçija.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ramiz Buzhala, Ilir Beqiri po akuzohet se nuk ka bërë deklarim të pasurisë apo të ardhurave, e këtë duke e ditur që si këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë, duhej ta bënte.
Duke mos respektuar ligjin ai nuk i kishte dërguar të dhënat në afatin ligjor në Agjencinë kundër Korrupsionit në Prishtinë.