Gara për kryeprokuror të Gjakovës, intervistohen katër kandidatë

Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes njoftimit për media ka bërë të ditur se ka organizuar procesin e intervistimit të kandidatëve për postin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Paneli Vlerësues i cili përbëhët nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili kryesohet nga Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka kryer intervistimin e katër kandidatëve që aplikuan dhe janë konfirmuar për postin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Kandidatët për këtë pozitë janë: Anton Hasanaj, Ardita Beqiraj- Hyseni, Dëshirë Jusaj dhe Enis Gashi. Secili prej tyre është prokuror me përvojë të pasur dhe njohuri të theksuara në fushën e drejtësisë penale, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Procesi i intervistimit është mbikqyrur nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST). Ky monitorim ndihmon në sigurimin e një procesi të hapur dhe transparent në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Pas përfundimit të procesit të intervistimit, Paneli Vlerësues do të bëjë një vlerësim të kandidatëve dhe do t’i propozojë Këshillit Prokurorial të Kosovës për votim kandidatët e suksesshëm.