Pas më shumë se 1 viti, caktohet seanca për gjykimin ndaj ish-asamblistit të PDK-së

Seanca ndaj ish- asamblistit të PDK-së në Gjakovë, Ilir Beqiri, të akuzuar për mos-raportim ose raportim të rremë të pasurisë, është caktuar me datën 30 shtator.

Ndonëse kanë kaluar plot 16 muaj nga mbajtja e seancës së fundit, tashmë me 30 shtator pritet që ky rast të shkojë në shqyrtim gjyqësor.

Mirëpo, si pasojë e prolongimit të këtij rasti ka qenë se fillimisht këtë rast e ka gjykuar gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili nga departamenti i përgjithshëm ka kaluar në departamentin e krimeve të rënda dhe tashmë rasti ka kaluar te gjykatësi Drilon Haraçia.

Sipas aktakuzës, të ngritur me 16 mars të vitit 2018, Ilir Beqiri po akuzohet se nuk ka bërë deklarim të pasurisë apo të ardhurave, e këtë duke e ditur që si këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë, duhej ta bënte.

Duke mos respektuar ligjin ai nuk i kishte dërguar të dhënat në afatin ligjor në Agjencinë kundër Korrupsionit në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se të dhënat e kërkuara për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2016, nuk i kishte shënuar saktë.

Në muajin shkurt të vitit 2019, Ilir Beqiri ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzës së Prokurorisë së Gjakovës.

“Unë nuk e pranoj fajësinë, ngase në periudhën kohore 1-31 mars 2017 nuk kam qenë asamblist dhe pasi që kam lënë pozitën e këshilltarit e kam deklaruar të gjithë pasurinë. E ndoshta nga mosdija ime nuk i kam paraqitur edhe të ardhurat për punën që bëjë tek klinika private “Fati im”. Andaj nuk kam pasur arsye të deklaroj rrejshëm sepse të gjitha mjetet janë bërë përmes xhirollogarisë”, kishte deklaruar ish-asamblisti Beqiri.

“Policia ka ardhur në shtëpi, ka hyrë dhe më ka shqetësuar djalin tim të cilin e kam me të meta, andaj unë do të ngriti padi ndaj tyre”, kishte thënë ai.

Pas kësaj, në muajin prill të vitit 2019, i njëjti kishte sfiduar akuzën e Prokurorisë për deklarim të rremë të pasurisë.

I njëjti tashmë punon si specialist i anestezionit në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.

Seanca fillestare në muajin janar të vitit 2019, kishte dështuar të mbahej, si pasojë e mungesës së të akuzuarit.