Gjykimi ndaj ish - asamblistit të PDK-se - Gjakove - 02.04.2019 - FOTO KALLXO
Gjakovë - Ish asamblisti i PDK-së sfidon akuzën për deklarim të rremë të pasurisë
Ilir Beqiri, i cili akuzohet për raportim të rrejshëm të pasurisë në kohën kur ishte asamblist i PDK-së, i ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Gjakovës.
Në seancën e së martës para gjykatësit Mentor Bajraktari, ai i kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë.
Ilir Beqiri tha se akuza që i vihet në barrë nga ana e Prokurorisë, është e pabazuar dhe nuk ka fakte.
Në anën tjetër, prokuroja Dëshire Jusaj, tha se aktakuza e Prokurorisë ka fakte dhe prova të mjaftueshme që e ngarkojnë të akuzuarin Ilir Beqiri.
Sipas aktakuzës, Ilir Beqiri po akuzohet se nuk ka bërë deklarim të pasurisë apo të ardhurave, e këtë duke e ditur që si këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë, duhej ta bënte.
Aktakuza e ngarkon atë se duke mos respektuar ligjin nuk i kishte dërguar të dhënat në afatin ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se të dhënat e kërkuara për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2016, nuk i kishte shënuar të dhënat e sakta.