Ilustrim - Gjykata e Gjakovës

Dënohen me 34 vjet burg 14 persona të akuzuar për kontrabandim me migrantë

Gjykata e Gjakovës ka shpallur aktgjykimin ndaj 14 të pandehurve, të akuzuar për kontrabandim me migrantë.

Të pandehurit akuzohen se u kishin mundësuar kalimin e kufirit Kosovë-Serbi në mënyrë të kundërligjshme disa shtetasve sirianë.

Të akuzuarit janë dënuar me 34 vjet burgim dhe me gjobë 22 mijë euro.

Gjyqtar i rastit ishte Drilon Haraçia.

Në mesin e të dënuarve janë shtetasit e Kosovës: S.S., B.P., T.F., H.K., B.E., A.I., V.N., dhe I.S., shtetasit e Republikës së Irakut: Sh.Xh., H.A.M., H.D., R.A., dhe shtetasit e Republikës Arabe Siriane: M.K. dhe I.Sh,

Sipas komunikatës së Gjykatës së Gjakovës aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria e Mitrovicës.

Këta persona u kanë mundësuar kalimin e kundërligjshëm të kufirit Kosovë-Serbi shtetasve sirianë me qëllim të përfitimit pasuror.

Dënimet veç e veç për secilin të dënuar nga Gjykata janë si vijon: S.S., 5 vjet burgim dhe 2,000 euro gjobë; B.P., 4 vjet e 8 muaj burgim dhe 2,000 euro gjobë; Sh.Xh., 3 vjet burgim dhe 1,500 euro gjobë; H.A.M., 3 vjet burgim dhe 1,500 euro gjobë; H.D., 3 vjet burgim dhe 1,500 euro gjobë; R.A., 3 vjet burgim dhe 1,500 euro gjobë; M.K., 3 vjet burgim dhe 1,500 euro gjobë; I.Sh., 3 vjet burgim dhe 1,500 euro gjobë; T.F., 1 vjet e 5 muaj burgim dhe 1,500 euro gjobë; H.K., 10 muaj burgim dhe 1,500 euro gjobë; B.E., 1 vit e 6 muaj burgim dhe 1,500 euro gjobë; A.I., 1 vit burgim dhe 1,500 euro gjobë; V.N. 10 muaj burgim dhe 1,500 euro gjobë; I.S. 10 muaj burgim dhe 1,500 euro gjobë.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, thuhet në komunikatë.