Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve po vazhdon i mbyllur për publikun

Shqyrtimi gjyqësor i të martës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të 18-të, i identifikuar me kodin 03832.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ka vazhduar e mbyllur për publikun.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, paraprakisht dha urdhër gojor në lidhje me çështjen e mos-shtimit në listën e materialeve, për dokumentet që veçse janë pjesë e listës së materialeve që i posedon pala thirrëse

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.